/ATSH-B.Jashari/- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim përfaqësuesin rezident të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Frank Lakwijk.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa përveç zhvillimeve të përgjithshme ekonomike në vend, diskutoi edhe mbi bashkëpunimin e Qeverisë së Kosovës dhe FMN-së.
"Buxheti i Kosovës duhet të vihet në funksion të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së konkurrencës në sektorin privat", theksoi Mustafa.
Gjatë këtij takimi, përfaqësuesi rezident i FMN-së, Lakwijk shprehu përkrahjen e FMN-së mbi kujdesin e Qeverisë së Kosovës rreth shpenzimeve, por edhe mbi fokusin e saj në përmirësimin e konkurrencës dhe drejtësisë në tregun e punës.
Ndërkohë, Kuvendi i Republikës së Kosovës po vazhdon seancën plenare, ku po shqyrtohet projektbuxheti për vitin 2015. Seanca e Kuvendit kosovar po zhvillohet me debate dhe pikëpamje të ndryshme mes maxhorancës dhe opozitës.