Teksa si në çdo ditëlindje, Pëllumbi do të priste tortën në të cilën shkruhej "Gëzuar ditëlindjen Profesor", vetë ai u shpreh se i falenderon të gjithë, kryetarin e PS, Kryesinë e PS, për këtë festë të shkëlqyer në këtë 75 vjetor të ditëlindjes së tij. "Uroj me gjithë zemër fitoren e PS në zgjedhjet e ardhshme. E kam uruar gjithmonë fitoren e PS dhe do ta bëj gjithmonë, sa të kem jetë", ka qënë urimi i Pëllumbit, në momentin kur ka ngritur dhe dollinë me bashkëkontribuesit socialistë.
Por në momentin që është shkëputur për të përshëndetur të gjithë ata që kishin ardhur për ta uruar, nuk i ka shpëtuar syrit të medias, e cila është interesuar për qëndrimin e profesorit të socialistëve për situatën politike dhe për deklarimin e kandidimit të ish-kryetarit të PS Nano për President.
"Do të dëshiroja që PS të kontribuonte edhe më shumë në atë që i mungon më tepër shoqërisë shqiptare. Dialogu, bashkëpunimi, mirëkuptimi, konvertimi në një filozofi politike kombëtare sepse realisht kemi shumë potenciale, kemi shumë njerëz të mirë. Gjithnjë ka gjëra për të përmirësuar edhe unë që jam 75 vjeç mendoj se kam gjëra për të përmirësuar, jo më PS që është një forcë e re politike", tha Pëllumbi për mediat.
Njëherësh nuk ka munguar të shprehet në mënyrë të tërthortë për mediat dhe në lidhje me ambicien e ish-kryetarit socialist Nano për të kandiduar për postin e kreut të shtetit. Pyetjes se si e konsideronte deklarimin e kandidaturës për President nga ish-kreu socialist Nano, profesori i PS, Pëllumbi i është përgjigjur se "Ajo është një dëshirë e tij, po të them të drejtën ata që vetëkandidojnë nuk i kam shumë qejf".
Ndërkohë që kanë përshëndetur në ditëlindjen e tij ish-presidentët Meidani dhe Moisiu, ish-kryetari i Kuvendit, Dokle dhe ish-ministri i Mbrojtjes Sabit Brokaj, të cilët e kanë vlerësuar figurën e Pëllumbit si një ndër kontributorët më të mëdhenj në politikën shqiptare. Servet Pëllumbi njihet si një prej figurave, që ka luajtur rol kryesor në zhvillimet politike të vendit që prej fillimeve të tranzicionit.
Ai ka patur një karrierë të gjatë politike në PS dhe Kuvend. Pëllumbi është jo vetëm politikan e intelektual i njohur me kontribute brenda vendit dhe përtej tij, por njëherësh është dhe një nga filozofët më të mirë të plejadës së tij, një "gur themeli" i historisë së mendimit filozofik dhe sociologjik shqiptar. Ai është dekoruar nga Presidenti me urdhrin "Gjergj Kastriot Skënderbeu".
(Shkrimi eshte botuar sot ne gazeten Shqiptarja.com)