Për burgjet në Drenicë, për bunarët në Drenicë ku janë persekutuar të burgosur - përpara se të flasin prokurorët e EULEX’it - kanë folur si më poshtë: Glauk Konjufca, në fillimin e legjislaturës aktuale; Florim Krasniqi, në një debat në Klan Kosova dhe Dardan Molliqaj në një debat në Rubikon, KTV.

Janë pjesëtarët e Vetëvendosjes që publikisht i kanë turrur hetuesit ndërkombëtarë që të hulumtojnë krimet e kryera nga UÇK në rajonin e Drenicës. A do të janë Konjufca, Krasniqi dhe Molliqaj dëshmitarë ne rastin kundër Lushtakut, Selimit e te tjerëve?

Ndalimi në polici për 24 orë i Sami Lushtakut dhe siç po shihet një fat i tillë së shpejti do ta pres edhe Sylejman Selimin, jo që është i motivuar politikisht, por është i motivuar edhe partiakisht prej anës se EULEX’it.

Nuk do ta kisha marrë mundin ta shkruaja asnjë rresht në FB sikur Samiu, Syla, e të tjerët, do të ndaleshin nëpër burgje dhe stacione policore për, ta zëmë, ndonjë aferë biznesore. Mirëpo të arrestohesh për "krime lufte" 15 vjet pas luftës, dhe hiç më pak se Shefi i Shtabit te Përgjithshëm dhe Komandanti i Zonës së Drenicës, kjo është me ia fut gishtin në sy një populli të tërë, një lufte të tërë, e sidomos Partisë Demokratike të Kosovës, e me konkretisht Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Hashim Thaçi.

Sot është goditur pjesa më emblematike e luftës çlirimtare, Samiu e Sulltani, edhe atë për akuza absolutisht qesharake - të paktën sipas informatave të deritashme.

Kryeministri Hashim Thaçi nëse e toleron një nëpërkëmbje të tillë, atëherë me keqardhje duhet ta konstatoj se karrierës se tij politike po i vije fundi, siç po i vije fundi edhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Më duhet ta pranoj publikisht se lufta e fundit çlirimtare kohë pas kohe ishte përbaltur prej individëve të papërgjegjshëm që në mënyrë të papërgjegjshme i kanë keqpërdorur uniformat, emrat ose mbiemrat. Mirëpo cila luftë në botë - qofte ajo edhe më e shenjta - nuk i ka pjesët e saj të errëta? A duhet që për episode të tilla të arrestohet një shtab i tërë?

Kryeministri Hashim Thaçi e ka mundësinë e tij të fundit që duke e mbrojtur Sylën e Samiun ta mbroje luftën e fundit... Arrestimi i tyre është sulm direkt ndaj tij dhe ndaj krejt çka ai përfaqëson...

Nga Berat Buzhala