TIRANE- Përcillet për në banesën e fundit, studentja 23-vjeçare, Irisi Belba, e cila i dha fund jetës dy ditë më parë duke u hedhur nga Sky Tower. Ceremonia e varrimit është zhvilluar në Roskovec të Fierit, nga ku e kishte edhe origjinën familja Belba, por që prej vitesh jetontë në Tiranë në zonën e “Komunës së Parisit”.

Gjatë ditës së djeshme kanë dalë në dritë dhe disa detaje të reja në lidhje me këtë ngjarje. Mësohet se e reja e cila vuante prej kohësh nga depresioni dhe kishte tentuar më parë hedhjen, ndaj nga menaxherët e lokalit që ndodhet në majën e pallatit 16-katësh i ishte ndaluar hyrja aty. Edhe Policia e Tiranës ka bërë të ditur dje se, ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve pasi ende nuk ka një gjë të qartë, që e ka shtyrë të renë të hidhet dhe të gjejë vdekjen.

CEREMONIA E VARRIMIT
Një ditë pas ngjarjes tragjike ku studentja 23-vjeçare i dha fund jetës duke u hedhur nga kati i 16-të i godinës “Sky Tower” në kryeqytet, Iris Belba dje është përcjellë për në banesën e fundit në qytetin e Fierit, nga ku kishte edhe origjinën. Hetimet e kryera deri më tani kanë nxjerrë në pah se prej kohësh e reja përjetonte një situatë të rënduar psikologjike, pasi prindërit e saj kishin konflikt në çift, e për këtë shkak vajza ishte transferuar në Tiranë me të ëmën, ndërsa i ati jetonte në Fier. Në ceremoninë e varrimit të mbajtur një ditë më parë në qytetin e Fierit kanë qenë të pranishëm të afërm të familjes, si dhe një grup studentësh të klasës së Irisit nga Fakulteti i Ekonomisë në Tiranë.

HETIMET E POLICISË
Burime nga policia bënë me dije se deri më tani nuk është arritur të vërtetohet asnjë detaj që vajza është imponuar apo shtyrë nga dikush të hidhej nga lartësia e godinës, ndërsa po punohet ende me dëshmitë e stafit të lokalit, si dhe me shoqet e ngushta të vajzës. Sipas bluve, dëshmitë e marra tek stafi i lokalit kanë treguar se vajza ka ardhur e vetme, ka qëndruar për pak minuta në ambientet e barit e më pas ka dalë, dhe askush se ka kuptuar se çfarë veprimi po bënte.

Ndërsa dy shoqet e Irisit, të cilat u shoqëruan ditën e djeshme, kanë dëshmuar se e kishin mikeshë, si dhe faktin se 23-vjeçarja prej më shumë se 6 muajsh shfaqte  shenja depresioni. Aktualisht ngjarja i është kaluar Prokurorisë së kryeqytetit kur pritet që hetimet e mëtejshme të hedhin dritë mbi çka ndodhi një ditë më parë në kryeqytet, si dhe për marrjen e masave për parandalimin e situatave të tilla.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 12 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)