Përfundojnë studimet por s'kanë
punë, të rinjtë CV te Rama

Përfundojnë studimet por s'kanë<br />punë, të rinjtë CV te Rama
TIRANE- Të rinjtë në vendin tonë e kanë shumë të vështirë të gjejnë një vend pune në profesionin që ata kanë. Pyetja më e shpeshtë që u bëhet kur ata kërkojnë punë është “a ke eksperiencë pune”. Ndërsa rotacioni politik u ka dhënë shpresë se do të gjejnë një punë për atë që kanë kryer studimet.

Të gjesh një vend punë sot në profesionin tënd për shumë të rinj që kanë pak vite që kanë mbaruar studimet është bërë një mision i pamundur. Edhe pse mund të kesh një mesatare të mirë apo di disa gjuhë të huaja. Shumica e të rinjve që kanë përfunduar shkollën e lartë punojnë jashtë profesionit të tyre. Ata punojnë shpesh në call center, kjo për faktin se në profesionin e tyre u kërkohet eksperiencë.

Ne kemi pyetur disa të rinj që kanë mbaruar studimet e larta dhe punojnë në një punë jashtë profesionit të tyre. Por këta të rinj me rotacionin politik që u bë në vend shprehen se kanë shumë shpresë te qeveria e re që do të krijohet dhe se do të hapë vende pune për ta. Hëna Rama ka mbaruar studimet e larta për Financë-Kontabilitet, në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Edhe pse ajo ka mbaruar me një mesatarë të lartë dhe zotëron dy gjuhë të huaja nuk ka mundur të gjejë një punë si financiere.

“Unë kam mbaruar shkollën në shkurt të vitit 2011, por prej disa muajsh punoj në një call center. Kam punuar edhe me anketat më parë, por në profesionin tim asnjëherë. Arsyeja e vetme ka qenë se sa herë kam kërkuar punë e para pyetje që më kanë bërë është: A ke eksperiencë”- shprehet Hëna Rama. Ajo gjithashtu shprehet se ka shumë shpresa se qeveria e re që do të vijë në pushtet do të hapë vende të reja pune dhe se shumë të rinj do të mund të punësohën. “Do të ketë vende të reja pune, sepse do të vijnë investitorë të huaj. Shpresoj që me ndryshimet e reja politike do të ketë edhe ndryshime për në jetën e shumë të rinjve” thotë Rama.

Një tjetër i ri, Riza Goxho, që ka përfunduar studimet e larta për Histori dhe i specializuar për “Trashëgimi Kulturore”, në Universitetin e Tiranës punon në një kazino. “Që kur kam mbaruar studimet, para një viti, punoj në një kazino. Kam kërkuar punë në profesion por ka qenë e pamundur të gjeja. Sepse që të futesh në një punë shteti sot duhet të kesh mik. Askush nuk i shikon aftësitë e tua” shprehet i riu 26-vjeçar.  Aida Mullaj ka përfunduar studimet e larta për Gjuhë-Letërsi në Unversitetin e Tiranës, edhe pse me një mesatare të mirë ajo është e detyruar të punojë shitëse, pasi nuk ka gjetur punë si mësuese.

“Nuk kam kërkuar punë si mësuese pasi e di që askush nuk më fut në punë. Nuk kam kërkuar sepse nuk kam pasur shpresa se do të gjeja një vend pune. Në këto vite që të futeshe ne punë ose duhet të kishe mik ose duhet të ishe simpatizante e PD-së” shprehet 25 vjeçarja. Aida Mullaj shprehet se nisma e re e Edi Ramës për të aplikuar çdo person për t’u bërë pjesë e skuadrës për ndryshimin e vendit është një nismë pozitive dhe se ajo do të aplikojë për të.

“Po, do aplikojë në nismën e re të Edi Ramës. Më duket shumë ide e mirë dhe mendoj se shumë të rinj do gjejnë punë nga kjo nismë” thotë Aida Mullaj. Sipas të dhënave të fundit  të INSTAT rezulton se një në katër të rinj shqiptarë është i papunë. Edhe sipas INSTAT në raportin për vitin 2012 papunësia mes të rinjve deri në 29 vjeç arriti në 25 %, nga 21.5% që ishte një vit më parë (2011).
 
Hëna Rama
Ka përfunduar studimet për Financë-Kontabilitet në UBT. “Unë kam mbaruar shkollën në shkurt të viti 2011, por prej disa muajsh punoj në një call center. Kam punuar edhe me anketat më parë, por në profesionin tim asnjëherë. Arsyeja e vetme ka qenë se sa herë kam kërkuar punë e para pyetje që më kanë bërë është: A ke eksperiencë”

Riza Goxho
Ka përfunduar studimet e larta për Histori në Universitetin e Tiranës dhe  punon në një kazino. “Që kur kam mbaruar studimet para një viti, punoj në një kazino. Kam kërkuar punë në profesion por ka qenë e pamundur të gjeja. Sepse që të futesh në një punë shteti sot duhet të kesh mik. Askush nuk i shikon aftësitë e tua”

Aida Mullaj
Ka përfunduar studimet e larta për Gjuhë Shqipe dhe Letërsi në UT dhe punon shitëse. Ajo thotë se do të aplikojë në nismën e re që ka ndërmarrë Edi Rama për punësimin. “Po, do aplikoj në nismën e re të Edi Ramës. Me duket shumë ide e mirë dhe mendoj se shumë të rinj do gjejnë punë nga kjo nismë”.

(Shkrimi u publikua sot në gazetën "Shqiptarja.com")
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë