Përgjimet e zyrtarëve, Braho:
Kreu i SHISH do thirret në Kuvend

TIRANË- Kreu i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho deklaron se kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi do të thirret në Komisionin e Sigurisë Kombëtare dhe do të kërkohet informacion më i detajuar për përgjimet që janë kryer nga ky institucion për drejtuesit e lartë të policisë, tatimeve dhe doganave.   

Kreu i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho thotë se është një skandal i përmasave të mëdha sa kohë një strukturë shtetërore si SHISH angazhohet për një veprim të tillë me prapavijë, sipas tij, të qartë politike.

Duke shprehur dijeni të plotë për këtë dokument, Braho tha se veprime te tilla nuk janë ndërmarrë as gjatë kohës së diktaturës.

“Janë totalisht jashtë objektit të përcaktuar nga ligji për organizimin e funksionimi i SHISH. Kemi të bëjmë më një kërkesë të kundraligjshme, madje me elementë të veprës penale, shpërdorim i detyrës më e pakta. Po të sjellim për analogji, as në kohën e Koci Xoxes nuk janë bërë këto dhe kur tentoi t’i bënte Enveri i preu kokën. E thënë me atmosferën që përjetojmë, duket si një agjendë zyrtare e përputhur me një agjendë politike. Agjenda zyrtare e SHISH, ndërkohë që është agjenda e Partisë Demokratike, e cila po merret me këtë situatë duke akuzuar mjaft drejtues të policisë për implikime në krim”, deklaroi Braho për Top-Channel.

Për të dhënë sqarime lidhur me këtë çështje, zoti Braho theksoi se kreu i Shërbimit Informative Shtetëror do të thirret në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ku do të kërkohet informacion më i detajuar për atë që ai e quajti një skandal i paprecedent.

“Do ta shohim me gjakftohtësi situatën dhe do të informojmë në radhë të parë Parlamentin dhe në radhë të dytë presidentin e kryeministrin, i cili është personi direkt që është i ngarkuar me mbikëqyrjen e ligjit për SHISH-in. Natyrisht, kemi të bëjmë me një informacion i cili shprehet se brenda 2 ditësh, të dhënat duhet të grumbulloheshin. Do të kërkojmë ku janë këto pasi ministri i Brendshëm nuk ka të dhëna, ndërsa ishte detyra e drejtuesve të SHISH të informonin ministrin. Kemi të bëjmë me një shkërmoqje të kësaj strukture. Nuk e di, është mjaft e rëndë!”, tha Braho.

Të njëjtin qëndrim ka edhe ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, i cili ngre pikëpyetjet se ku shkon ky informacion i marrë nga Shërbimi Informative Shtetëror, sa kohe nuk ka patur kundrejt tij asnjë kërkesë nga institucionet që qëndrojnë mbi të.

“Unë e lexova kërkesën që është bërë. Bëhet fjalë edhe për thellimin e informacionit, jo vetëm për informacion që për një arsye mund të ishte mbledhur për një punonjës, por kërkohet thellimi. Kjo është më e rëndë, absolutisht e kontraligjshme dhe më delikatja, kujt do t’i shkojë ky informacion, kush ka urdhëruar për këtë?”, theksoi Klosi, për Top-Channel.
 
Nga dokumenti i publikuar një ditë më pare rezulton se Shërbimi Informativ Shtetëror në dt. 2 Dhjetor 2013, vetëm pak muaj pas ardhjes ne fuqi të qeverisë se re ka kërkuar nga Drejtoritë në rrethe të identifikojnë drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit në Qarqe, më konkretisht (drejtorin e qarkut, shefin e rendit, shefin e krimeve, shefat e komisariateve, drejtori qarkullimit rrugor, ata të emigracionit dhe kufirit) dhe specifikisht të identifikohen personat dhe pozicionet e tyre drejtuese të emëruar pranë policisë së qarqeve, kohët e fundit me të dhëna që i implikojnë në veprimtari antiligjore.

Redaksia online  
(esh/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë

PD kërkon qeveri teknike, Kikia: Protestat e opozitës, modeste për ta detyruar mazhorancën të pranojë! Partitë e reja janë një realitet i ri në politikë