Çështja e përgjimeve duket se është shndërruar në temën e ditës, ku segmente të ndryshme të politikës denoncojnë ose akuzojnë në mënyrë të ndërsjellë se kanë rënë pre e "çimkave poshtë tavolinës".
 
Nga pajisja e përgjimit të Interforcës në Vlorë e cila u pretendua se përgjonte telefonat celularë dhe aplikacionet e ndryshme telefonike, debati është përqendruar te përgjuesi i gjetur në zyrën e sekretares së Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Për këtë rast është regjistruar edhe një denoncim në Policinë e Tiranës.
 
Ndërkohë 8 muaj më parë, ishte Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i cili do të pohonte se kishte gjetur një përgjues në zyrën e tij, pas abazhurit. Atëherë Nishani akuzoi strukturat e shtetit se e kishin vënë nën përgjim.

Për këtë shkak ai shkarkoi komandantin e Sigurimit, Krenar Ahmeti dhe zv/komandantin Hazbi Pëllumbi. 

Megjithatë, vetëm një hetim i thellë dhe i detajuar do të hidhte dritë mbi të vërtetën e përgjimeve. Dhe mbi të gjitha, ajo që vlen me tepër për interesin publik, është se kush i kryen këto përgjime të paligjshme? Kush jep urdhra për të vendosur "çimka" nën tavolinë, abazhur apo karrige? 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com