LONDER -  Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar edhe ambasadën greke në Uashington dhe grupin e saj në Kombet e Bashkuara, sipas dokumenteve të fundit të Agjencisë Kombëtare të Sigurisë zbuluar nga ish-punonjësi i saj Edward Snowden të cilat janë publikuar në gazetën "The Guardian".

Gazeta britanike ka publikuar listën e 38 ambasadave dhe misioneve që NSA-ja ka spiunuar përfshirë edhe përfaqësimin e Bashkimit Evropian në Washington dhe New York.
Dokumenti përshkruan se si NSA kishte përgjuar dhe spiunuar në zyrat e BE-së, rrjetet kompjuterike të brendshme në ëashington dhe në Kombet e Bashkuara, jo vetëm duke dëgjuar bisedat dhe thirrjet telefonike, por edhe duke pasur qasje në dokumente dhe e-maile të ndryshme.

Martin Schultz, presidenti i Parlamentit Evropian, tha se në qoftë se raporti ishte i vërtetë do të ketë një ndikim të rëndë mbi marrëdhëniet mes BE-së dhe Shteteve të Bashkuara. Zoti Schultz thotë se SHBA-ja ëshë e detyruar të japë shpjegime në lidhje me këto.

Dhënia e informacioneve nga ana e Snoëden-it në mediat e huaja rreth programeve të mbikëqyrjes kanë ndezur një zhurmë politike në Shtetet e Bashkuara dhe jashtë vendit mbi balancën midis të drejtave të privatësisë dhe sigurisë kombëtare. Sipas një tjetër gazetë “Der Spiegel”, NSA ka pasur shënjestër edhe zyrat e BE-së në Bruksel ku përgjimet kanë përfshirë biseda delikate mes liderëve evropianë.

Redaksia Online
(lc/by/shqiptarja.com)