Serbia dhe Bosnja kanë bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare për shpëtimin e personave në zonat e përmbytura. Niveli i ujit ka filluar të tërhiqet, por zyrtarët thonë se rreziku ekziston ende. Ata u shprehën se kërcënimi i rrëshqitjeve të dheut është një problem gjithmonë i pranishëm, ashtu si edhe vështirësitë nga tokat e minuara e fryrja e lumenjve. Centrali kryesor elektrik i Serbisë është ende në rrezik për t’u përmbytur. Me mijëra persona kanë lënë shtëpitë e tyre.

Të paktën 35 persona kanë gjetur vdekjen dhe pritet të ketë viktima të tjera. Një operacion i gjerë ndihme ndërkombëtare është duke u zhvilluar, me helikopterë nga BE, SHBA dhe Rusia që kanë evakuuar njerëzit nga zonat e prekura.

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç u shpreh se Serbia kishte nevojë për ndihmë të mëtejshme, sidomos për ushqime, veshje dhe ujë të pijshëm.

Reshjet shkaktuan më shumë se 2000 rrëshqitje toke në Bosnjën kodrinore duke mbuluar rrugët, shtëpitë dhe fshatra të tërë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)