Kryeparlamentari Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet e tij për jetët e humbura nga përmbytjet në Maqedoni.

“Me shqetësim të madh, trishtim të thellë dhe solidaritet të plotë kam ndjekur situatën e pazakontë të krijuar nga reshjet e shiut në Maqedoni dhe veçanërisht në Shkup e Tetovë. Në këto momente dramatike unë bashkoj dhembjen time me të gjithë familjarët e viktimave dhe lutjet e sinqerta për të ndalur me kaq ky bilanc tragjik humbjesh. Ngushëllimet më të thella për ta dhe solidaritet me gjithë të prekurit nga kjo fatkeqësi e tmerrshme natyrore. Në emër të Kuvendit iu përcjell banorëve të zonave dhe autoriteteve zyrtare të Maqedonisë, Shkupit dhe të Tetovës solidaritetin tonë më të thellë. Ne nxisim, mbështesim dhe përshëndesim çdo iniciativë të qeverisë shqiptare për t’u gjendur pranë, sipas mundësive tona, qytetarëve të Maqedonisë dhe autoriteteve të Shkupit dhe të Tetovës. Kam besim se banorët e prekur nga kjo fatkeqësi natyre, autoritetet zyrtare të fqinjit tonë , por edhe partnerët evropianë të Maqedonisë dhe sidomos fqinjët e tij, do të jenë në një front e në një aksion të përbashkët për të përballuar tërbimin e natyrës dhe për të minimizuar dëmet", është shprehur Meta. 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com