PERMET- Partia Socialiste ka vijuar turin e takimeve elektorale në qytetin e Përmetit, për të prezantuar kandidatët për deputet për zgjedhjet e 23 qershorit. Kreu i PS-së tha se familjet shqiptare përballen me vështirësi të mëdha ekonomike, si pasojë e taksave të larta dhe mungesës së vendeve të punës. Ndërsa shtoi se "PS synon që të mos fitojë të ardhura vetëm një grup i vogël njerëzit, por e gjithë popullata".

Ndërsa shtoi se PS ka një program për rritjen e punësimit në vend dhe uljen e taksave.

“Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të reduktojë varfërinë e të rrisë punësimin. Por në Shqipëri kjo nuk funksionon pasi këtu nuk ka shtet. Ky popull është i papunë, pasi mban në punë një kryeministër që nuk është në atë punë. Projektin që do të hapë rrugën e rilindjes do ta nisim me parimin kush fiton më shumë do paguajë më shumë dhe kush fiton më pak do paguajë më pak. Brenda 100 ditësh njerëzve të zakonshëm të këtij vendi që mbajnë hapur gjithë këto dyqane rreth e rrotull, do t’i lehtësojmë situaën duke ja hequr taksën e biznesit të vogël dhe duke përgjysmuar tatimin e fitimit. Ne do ta bëjmë zero taksën 20% për ushqimet jetike. Shqipëria i ka të gjitha ato që i duhen që askush të mos flejë i uritur dhe askush të mos zgjohet i uritur”, tha Rama.

Kreu i kësaj force politike, përmendi vlerat e mëdha të këtij qyteti si dhe figurat më të njohura të historisë shqiptare. Rama vuri theksin tek rëndësia e rilindjes shqiptare.
 
“Shqipëria ka mundësi për t’u integruar dhe për t’u rilindur dhe ne do ta realizojmë këtë. Ne e duam këtë vend, dhe do të punojmë për përmirësimin e tij. Dashuria për vendin na mjafton për të realizuar projektin e një Shqipërie të re. Që të mos jetë vendi ku një pakicë e vogël fiton dhe drejton gjithçka, por të jetë vendi i të gjithëve, ku njerëzit jetojnë në paqe sociale”, tha Rama.

Duke u ndalur sërish tek problematika e ujit të pijshëm Rama tha se qeveria aktuale, prej 8 vitesh nuk ka bërë një menaxhim të drejtë të burimeve ujore të vendit. Kryesocialisti tha se forca politike që ai drejton ka një program të qartë për investime konkrete për furnizimin e familjeve 24 orë me ujë të pijshëm, dhe për vaditjen.
 
“Po bëhet çerek shekulli që politikanët në çdo fushatë elektorale premtojnë se do t’u sjellin ujin shqiptarëve, sikur do e sjellin nga ndonjë vend tjetër. Jo sikur Shqipëria të ketë pasuri të mëdha ujore. Janë ata që për 8 vjet nuk kanë arritur të çojnë ujin në rubinetet e çezmave të familjeve shqiptare. Ne do të investojmë që të mos mbetet asnjë familje pa ujë 24 orë, dhe të mos mbetet asnjë metër katror tokë pa vaditje” tha kreu i PS-së”.
 
RAMA: SHQIPERIA I VETMI VEND ME NJE KRYEMINSTER 70 VJEÇ

Më tej kreu i PS tha se “Shqipëria një vend me moshë kryesisht të re, qeveriset nga një kryeministër 70 vjeç”.
 
“Pas 8 vjetësh vijnë dhe ju kërkojnë përsëri votën dhe ju premtojnë sërish ujë, janë ata që kanë penguar ujin të vijë tek ju. tani po bëjnë këtë fushatë sikur thonë ‘o popull ne 8 vjet bënë shaka, tani e kemi seriozisht na e jepni votën dhe njëherë’. Por jo më, sepse Shqipëria është një vend me moshë të re, dhe ka një kryeministër 70 vjeç në qeverisje. Jo më! E dini ju që presidenti Clinton që ka gati 15 vjet që e ka lënë detyrën, është më i vogël se ky katragjyshi me antiplumb që vjen vërdallë me 200 roje dhe me qen, që kërkojnë nëpër turmë se mos ka ndonjë bombë e me snajpera nëpër pallate”, u shpreh Rama.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)