HOLANDE - Të paktën tre persona janë gjetur të vdekur, 8 rezultojnë të humbur ndërsa 13 të tjerë u shpëtuan nga forcat e shpëtimit, si pasojë e përplasjes së dy anijeve në Detin e Veriut.

Rojet bregdetare holandeze kanë ndërmarrë një operacion kërkim-shpëtimi në detin e Veriut, pasi një anije mallrash u fundos pas një përplasje me një anije tjetër. Anija “Baltic Ace” po transportonte makina nga porti Zeebrugge i Belgjikës për në Finlandë, teksa u përplas me anijen qipriote “J Corvus”, e cila ishte nisur nga Skocia për në portin belg të Antwrp-it.

Anija qipriote thuhet se mund të jetë dëmtuar keq, por jo në rrezik fundosje - raporton agjencia e lajmeve Reuters.

Një zëdhënës i Policisë Bregdetare tha se janë ndërmarrë edhe operacione ajrore nëpërmjet dy helikopterëve në kërkim të anëtarëve të ekuipazhit të Baltic Ace. Vendi ku ndodhi përplasja e anijeve është një nga më të trafikuarit e Detit të Veriut, në afërsi të portit të Roterdamit i cili është porti më i madh në botë për sa i takon madhësisë dhe tonazhit.

(lc/Gre.M/Shqiptarja.com)