Në disa fshatra të thellë malorë trashësia e dëborës arriti deri në 1.5 m duke izoluar krejtësisht banorët e këtyre fshatrave me qendrat urbane.
Tashmë janë evidentuar edhe problematika të cilat kërkojnë ndërhyrje dhe zgjidhje të shpejtë.
Kryetarja e bashkisë Miranda Rira ka qenë këto ditë në terren me grupet e punës.
Në një prononcim për Report tv Kryetarja Rira prezantoi një situatë të përgjithshme në të cilën ndodhet sot bashkia Përrenjas.
Znj. Rira u shpreh se: Në komunën Stravaj gjendja paraqitet më e vështirë për shkak të terenit malor, rrugët rurale janë të hapura.
Por problem mbetet fshati Sopot ku jetojnë 30 familje. Ky fshat është i izoluar krejtësisht dhe pa energji ndërkohë që po u mbarojnë edhe ushqimet.
Për këtë qëllim është vënë në dijeni Prefekti dhe instancat më lart, është kërkuar ndërhyrje nga ajri. Për pjesën tjetër të popullsisë, bashkia po përpiqet që ti furnizojë vetë me ushqime. Sa i përket furnizimit me energji situata, po vjen duke u përmirësuar. Por megjithatë kanë mbetur disa fshatra të thellë pa energji.
E pyetur nga Report tv për raste të personave me probleme shëndetësore Znj.Rira tha se: ka pasur raste të tillë siç ishte rasti i një gruaje 60 vjeçare, e cila ishte izoluar në një fshat të thellë malor dhe që u ndihmua nga emergjencat civile dhe zjarrfikëset e bashkisë, më pas u transportua për në spital e aktualisht ndodhet në Tiranë jashtë rrezikut për jetën. Kryebashkiakja nënvizoi se: Të gjitha institucionet janë në terren dhe po bëhet evidentimi i banorëve që kanë më shumë nevojë.
Me fillimin e shiut rrezikojnë përmbytjen disa familje pasi shiu shkrin dëborën.
a.m/Shqiptarja.com











