TIRANE -  Përcaktimi i kompetencave të Kryetarit të Gjykatës dhe të Kancelarit ka ngjallur debat në mbledhjen e radhës të Komisionit të Ligjeve, ku është diskutuar Projektligji për Administratën Gjyqësore.

Përfaqësuesi i Euraliusit, Joakim Urias, ka dhënë shpjegime pasi opozita ka kërkuar (konkretisht deputetja Vasilika Hysi) nëse ka ndonjë model në Evropë që kryetari i Gjykatës të informojë ministrin e Drejtësisë, dhe për çfarë duhet ta informojë. Urias, i cili ka ndihmuar në hartimin e këtij projektligji, tha se në vendet e BE-së, sa i përket kompetencave të Kancelarit dhe kryetarit të Gjykatës, janë sipas standardeve të BE.

“I gjithë ligji bazohet në standartet kryesore të Bashkimit Europian. Në të gjitha vendet europiane, Ministria e Drejtësisë është institucioni që kontrollon kancelarët. Sipas nesh, ligji gjen ekuilibër të mirë ndërmjet kompetencave të Ministrisë dhe ato të Gjykatës. Sigurisht që në disa çështje është nevoja që kancelarët të njoftojnë Ministrinë për atë që ndodh në Gjykatë, pasi kancelarët janë në kontakt çdo ditë me punën e Gjykatës si në lidhje me nevojën për material apo për rregullat që nuk zbatohen si duhet. Kjo dispozitë është hartuar për të bërë Ministrinë e Drejtësisë të marrë kompetencat dhe përgjegjësitë e veta.”, tha Urias.

Një tjetër pikë, e cila përplasi opozitën dhe mazhorancën ishte kërkesa për të miratuar këtë projektligj me shumice të thjeshte, e cila sipas opozitës prish konsensusin dhe e injoron atë.

Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, Komisioni i Ligjeve miratoi vetëm me votat e mazhorancës propozimin e deputetit Alibeaj, sipas të cilit ky projekt-ligj duhet të miratohet në Parlament me shumicë të thjeshtë dhe jo me shumicë të cilësuar.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)