Pas ndërprerjes së seancës konstituive, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, shpjegoi pse Lëvizja Vetëvendosje nuk paraqiti një kandidat për kryetar të Kuvendit.

“Nuk propozuam një emër për kryetar Kuvendi, ndonëse i kemi votat për një gjë të tillë. Meqenëse çfarëdo konstituimi i Kuvendit, pa marrëveshje politike që do të garantonte qëndrimin në sallë dhe votimin për Presidentin e Republikës, pashmangshëm do të na shpinte tek zgjedhjet e reja, të përsëritura, të parakohshme, të pashmangshme, të panevojshme dhe gjithsesi të dëmshme”, tha Kurti.

Ai u shpreh se ende beson te arritja e një marrëveshjeje politike dhe se kontaktet me liderët e partive duhet të vazhdojnë.

“Vetëm nga lartësia e një marrëveshje politike dhe nga gjerësia e një marrëveshje mes meje me liderët e partive të tjera, të konsituojmë Kuvendin, formojmë qeverinë dhe ta zgjedhim presidentin apo presidenten e re. S’ka kuptim të mos bëjmë marrëveshje. S’ka kuptim të mos bashkëbisedojmë. Në këto orët e fundit, unë kam pasur takim, kam shkruar letra që ftojnë për takim, e që japin përgjigje, kam shkruar mesazhe telefonike për t’u takuar me liderë të partive politike dhe s’duhet t’i shpallim përpjekjet e dështuara apo të përfunduara. Duhet të vazhdojmë të përpiqemi. Prandaj edhe një herë u bëj thirrje kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini, që të bisedojnë duke u takuar, dhe duke u takuar të merren vesh, të bëjnë marrëveshje politike për rrugën e përbashkët përpara, për hir të institucioneve të Republikës dhe popullit të Kosovës”, shtoi ai.


Lajmi kryesor:

Konstituimi i Kuvendit në Kosovë në ngërç! Kurti s’arrin marrëveshje: Shtyjmë seancën që të shmangim zgjedhjet! VIDEO kur deputetja e godet me vezë