TIRANE - Zgjedhja me një anëtar një votë e Lulzim Bashës në krye të PD është i vetmi moment pas gushtit të vitit 1991, kur PD ka kryer zgjedhje brenda saj. Kështu deklaron një prej ish-themeluesve të kësaj partie Arben Demeti, që e vlerëson akt civil, dorëheqjen e Berishës nga kreu i PD. I çuditur nga kontestimet e disa prej eksponentëve të PD, ndaj procesit të zgjedhjes së Bashës, Demeti shprehet se ata vetë kanë qënë pjesë apo autor të mungesës së proceseve zgjedhore në këtë parti, ndaj dhe pretendimet e tyre sipas tij, s’qëndrojnë.

“PD me përjashtim të kongresit që ka bërë në vitin 1991 që ka qënë një kongres i shkëlqyer edhe sot është vështirë të mendosh si është realizuar, ku Sali Berisha fitoi në kongres me 2 kanditatura me votim të fshehtë me Cekën e Hajdarin, me meritë. PD në të gjitha zgjedhjet e tjera nga 91 deri sot nuk ka bërë më zgjedhje, asnjë lloj zgjedhje, asnjë lloj votimi. Ky proçes një anëtarë një votë pavarësisht vështirësive ky ka qënë një proçes pas 1991”, u shpreh Demeti për “AS”. I pyetur rreth zhvillimeve në kampin e majtë dhe qeverinë e re ai shpreh rezerva duke nisur qysh tek kryeministri por thekson se duhet pritur për të parë rezultatet.

"Personalisht nuk kam besim te ky kryeministër, nuk kam pasur anjëherë por uroj për të mirën e vendit që të jem unë i gabuar sepse unë mbështetës çdo lloj qeverie që bën punën mirë dhe i shërben Shqipërisë, nuk e shoh me lente bardh e zi çdo gjë. Ata po bëjnë parapërgatitje, nuk është që shkëlqen. Një pjesë e kësaj qeverie ka qënë edhe në qeverinë tjetër dhe kemi pasë shumë vërejtje për to por këto janë gjëra që i lidh me moralin politik.

E rëndësishme është që duhet të jemi pragmatistë, të shohim rezultatet që do japë kjo qeveri", tha Demeti. Kreu i PAD thekson gjithashtu se shtimi i dikastereve në qeverinë Rama nuk është problem, pasi është në të drejtën e çdo krryeministri të ndërtojë strukturën qeverisëse. E rëndësishme sipas tij është fryma që sjell në qeveri e produktiviteti me të cilin ata do drejtojnë vendin.

Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt.06.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)