Padia e Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli ndaj anëtares së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Reila Bozdo pezullohet deri në një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Report Tv ka siguruar vendimin e pezullimit nga gjyqtari Asim Vokshi i cili kërkon nga Kushtetuesja shfuqizimin e gërmës "gj" të nenit 647/a të Kodit Civil, nen ky i cili lidhet me masën e dëmshpërblimit monetar.

Por çfarë thotë ky paragraf për të cilin kërkohet shfuqizimi si antikushtetues?

Shpërblimi i dëmit jo-pasuror për cënimin e nderit, personalitetit ose reputacionit të personit, synon rivendosjen e të drejtës së shkelur, në mënyrë proporcionale me dëmin e pësuar dhe caktohet në bazë të rrethanave të çështjes.

Për përcaktimin e përgjegjësisë civile dhe masës së dëmit jo-pasuror, gjykata mban parasysh edhe: faktin nëse dëmshpërblimi mund të rëndojë ndjeshëm gjendjen financiare të shkaktuesit të dëmit.

Më 7 nëntor 2015 Bozdo në një konferencë për shtyp akuzoi Kodhelin se i kish dhënë tenderin për monitorimin e hapësirës detare një dyqani celularësh.

Kjo akuzë u cilësua e pavërtetë nga Ministrja Kodheli e cila më 1 dhjetor 2015 ju drejtua gjykatës me padinë për shkaktim dëmi duke kërkuar dëmshpërblim 50.000 euro.

Me kërkesën drejtuar kushtueses për shfuqizim të paragrafit të sipërcituar pritet që ky proces të marrë më shume se 1 vit kohë nga shpallja e një vendimi përfundimtar referuar procedurave me të cilat operon Kushtetuesja përfshi dhe pushimet vjetore.

Redaksia Online
(M.Ç/Shqiptarja.com)