Vëmendja e tifozëve është e përqendruar te yjet e futbollit, por edhe gjyqtarët e Kupës së Botës 2026 do të përfitojnë shpërblime financiare rekord për angazhimin e tyre në turneun më të madh të futbollit.

Sipas të dhënave të publikuara, çdo gjyqtar kryesor i përzgjedhur për Botërorin 2026 do të përfitojë një pagë bazë prej rreth 86 mijë eurosh vetëm për pjesëmarrjen në fazën e grupeve. Shuma mund të rritet ndjeshëm për ata arbitra që do të emërohen në ndeshjet e fazës me eliminim direkt.

Krahasuar me Botërorin 2022, kur gjyqtarët përfitonin rreth 60 mijë euro, shpërblimet në edicionin aktual paraqesin një rritje të konsiderueshme, duke reflektuar zgjerimin dhe rëndësinë në rritje të kompeticionit.

Përveç pagesës bazë, arbitrat do të marrin edhe bonuse për çdo ndeshje të drejtuar. Nga këto do të përfitojnë gjithashtu arbitrat asistentë dhe zyrtarët e sistemit VAR, të cilët kanë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në vendimmarrjen gjatë ndeshjeve.

Për Kupën e Botës 2026, FIFA ka përzgjedhur 52 gjyqtarë kryesorë, 88 arbitra asistentë dhe 30 zyrtarë VAR për të menaxhuar 104 ndeshje gjatë turneut. Ky është një zgjerim i ndjeshëm krahasuar me edicionin e vitit 2022, kur u zhvilluan 64 ndeshje.