Nuk ka qetësi te Vllaznia. Vetëm pak ditë pas ndryshimit të trajnerit, teksa Edi Martini u zëvendësua nga Csaba Laszlo, raportohet sërish për probleme në kampin shkodran.
Thuhet se futbollistët kanë refuzuar të stërviten paraditen e së enjtes për shkak të pagave të prapambetura. Kjo çështje diskutohet prej disa mujash te Vllaznia, që po kalon peripeci të njëpasnjëshme që prej sezonit të kaluar kur dështoj të fitojë titullin në ‘final-four’. Megjithatë burime zyrtare në klub nuk e mohojnë apo konfirmojnë këtë lajm, por theksojnë se stërvitja është parashikuar të nisë në orën 16:00.
Ndërkohë ka ndryshime të tjera në rang drejtuesisht përveç trajnerit. Ditën e sotme është vendosur që Vioresin Sinani të mos jetë më drejtor sportiv, ndërsa vendin e tij e ka marrë Alban Neziri. Sinani ndërkohë pritet të emërohet drejtor i akademisë së Vllaznisë.
Shkodranët e kanë nisur me rezultate negative sezonin e ri, teksa kanë grumbulluar vetëm 2 pikë pas 5 ndeshjeve të para. Kjo ka bërë që Vllaznia të renditet në vendin e fundit në Superligë, duke sjellë edhe pakënaqësi te tifozët. Shumë prej tyre kundërshtojnë mënyrën se si po organizohet klubi, ndërsa pritshmëritë për të dalë nga situata nuk janë optimiste.
Ndeshja e radhës për Vllazninë do të jetë të dielën në Loro Boriçi, teksa shkodranët presin Dinamo City-n.











Komente
Komento