TIRANËDy zyrtarë të Institutit të Ndërtimit kanë rënë në prangat e SPAK, pas dyshimeve se kanë kryer akte korrupsioni, në favor të 2 pronarëve të një shtëpie, që të përfitonin nga grantet e rindërtimit, kur në fakt banesat e tyre as nuk ekzisitonin më, pasi ishin shembur nga IKMT-ja dhe ishin shpronësuar për interes publik me kërkesë të OST-së. Të arrestuarit janë Dh. P dhe K. K, ekspertë pranë Institutit të Ndërtimit në Tiranë.

Dy pronarët e shtëpive A.M dhe F. H., të cilët ishin nën hetim që nga viti 2020, në mënyrë të vazhdueshme, kanë bërë përpjekje për të mundësuar kryerjen e veprimeve të paligjshme me natyrë korruptive duke ndërhyrë tek Dh. P., me detyrë ekspert pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë dhe K. K., me detyrë ekspert pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë si dhe tek kreu i njësisë administrative në Petrelë, S.K.

Qëllimi i ndërhyrjes ishte ndryshimi i aktit të konstatimit fillestar dhe aktit të ekspertizës së thelluar për një banesë në pronësi të tyre, me qëllim rritjen e klasifikimit të nivelit të dëmeve, duke paguar për këtë akt shumën prej 2000 (dymijë) euro. Kjo banesë në fakt ishte prishur me parë nga IKMT-ja si pasojë e shpronësimit për interes publik me kërkesë të OST-së. Ata e kanë paraqitur atë si një banesë të dëmtuar nga tërmeti me qëllim për të përfituar nga granti i ri ndërtimit.

Në kryerjen e këtyre veprimeve ata janë ndihmuar nga funksionarë të Njësisë Administrative Petrelë, njësi e cila nuk ka vendosur skualifikimin e subjektit, por ka përcjellë praktikën përkatëse për këtë subjekt pranë Bashkisë Tiranë, me qëllim përfitimin në fillim të grantit dhe më pas të lejes së ndërtimit.

Kështu GJKKO ka caktuar masën arrest me burg për shtetasin A.M. dhe F. H., pasi kanë ushtruar ndikim të paligjshëm nga personave që ushtrojnë funksione publike. Po ashtu është caktuar masa ‘arrest me burg’, për Dh.P., me detyrë ekspert pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikim i dokumenteve”. Ndërkohë masa ‘arrest në shtëpi’ është caktuar për shtetasin K.K., me detyrë ekspert pranë Institutit të Ndërtimit Tiranë. Po ashtu është caktuar masa ‘Detyrim paraqitje’ dhe ‘Pezullimit të ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik’, ndaj S.K., me detyrë Administrator i Njësisë Administrative Petrelë.

Të gjitha masat e sigurimit u ekzekutuan sot nga strukturat e Policisë së Shtetit.