“Tani unë gjykojë se është momenti që kreut të Shërbimit t’i caktohet një ditë dhe të vijë të raportojë pranë komisionit”, kërkoi nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka.
“Mos kërceni përpjetë kur të diskutohet edhe kërkesa e deputetit Piro Lutaj. Se u tmerruat atë ditë, jo kontrolli punëtor, jo kështu jo ashtu. Të vij të raportojë Vishoja këtu, ne do të vemi tek Vishoja bashkërisht me ju”, reagoi ndaj Nokës kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho.
“Në sirtarët e këtij Kuvendi fle një projektligj për kontrollin e institucioneve të sigurisë. Në rast se ne duam të ushtrojmë një kontroll në çdo institucion të sigurisë, atëherë kalojeni në parlament këtë projektligj”, vijoi ish-ministri i Brendshëm, Noka.
Me herët, Komisioni i Sigurisë ka votuar pro ndryshimeve në Kodin Penal, ndryshime këto që vijnë me propozim të një grupi deputetësh duke ju referuar ngjarjeve të fundit me shtetasit shqiptarë që kanë marrë pjesë në luftimet në Siri. Por nuk kanë munguar as sugjerimet apo edhe kritikat ndaj qeverisë nga anëtarët e komisionit.
“I propozojë Komisionit të Ligjeve, ministrit të Drejtësisë dhe qeverisë, të na vijë me një paket të plotë, mundësisht me një Kod të ri të Procedurës Penale dhe Kod Penal. “, tha deputeti i LSI-së, Luan Rama, anëtar i Komisionit të Sigurisë.
“Përpara se të shqetësoheshin deputetët, duhet të shqetësohej qeveria sepse një fenomen i tillë dëmton dhe cenon sigurinë e vendit, dhe më së shumti imazhin Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”,- reagoi edhe një herë nënkryetari Komisionit, Flamur Noka.
Në Kodin Penal parashikohen të shtohen tre nene ku dënohen me burgim të gjithë ata persona që marrin pjesë në formacione luftarake pa qenë shtetas apo pjesë e forcave të armatosura. Dënohet po ashtu nxitja e rekrutimit, organizimi si dhe thirrja në mënyrë publike për pjesëmarrje në çdo lloj forme apo mjeti.
Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)