Tre kamionë me ndihma humanitare të ardhura nga Gjermania kanë mbërritur në Pogradec, duke sjellë pajisje dhe materiale që do t’u shpërndahen shkollave, personave me aftësi të kufizuara dhe institucioneve të ndryshme. Donacioni është siguruar nga Shoqata e Motorristëve dhe Kamionistëve të Gjermanisë, me koordinimin e pogradecares Juljana Dita dhe me ftesë të drejtuesit të grupit të motorristëve të Pogradecit, Dritan Hoxha. Shpërndarja e ndihmave nisi këtë të martë.

Ndihmat përfshijnë pajisje dhe materiale të destinuara për institucione arsimore, shërbime sociale dhe familje në nevojë, me synimin për të lehtësuar kushtet e tyre dhe për të mbështetur komunitetin vendas.

“Është hera e tretë që sjellim ndihma humanitare. Këtë herë kemi si qëllim për të ndihmuar shkollat dhe kopështet. Kemi krevatë për paraplegjike, karroca invalidësh dhe ndihma per familjet në nevojë” tha Juljana Dita, Shoqata e Motorristëve dhe Kamionistëve të Gjermanisë

Nisma është pjesë e bashkëpunimit të krijuar prej disa vitesh mes shoqatës në Gjermani dhe përfaqësuesve në Pogradec, ndërsa donacioni realizohet me mbështetjen e Bashkimit Evropian.

“Unë vij nga shoqata e Motorristëve dhe Kamionistëve dhe jam ish-president i kësaj shoqate. Kemi filluar para 25 vitesh të bashkohemi me motorristët në Europë3 për të ndihmuar në organizimin e transporteve të ndihmave drejt Ballkanit. 5 vite më parë kemi qenë në Pogradec dhe aty ka lindur idea për të ndihmuar qytetin” tha Hermann Munzel

Ky është viti i tretë radhazi që kamionë me ndihma humanitare nga Gjermania mbërrijnë në Pogradec, duke sjellë mbështetje për familjet në nevojë dhe institucionet lokale.