SHIJAK- Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për Paketën e Maleve, Bashkia e Shijakut po përballet me një interes të lartë nga qytetarët për të investuar në zonat rurale.
Që në ditët e para, institucioni vendor është angazhuar në ngritjen e grupeve të posaçme të punës, në zbatim të ligjit, për të ndihmuar aplikantët në çdo hap të procesit.
“Nga aplikimet që bëjnë qytetarët tek e-Albania për Paketën e Maleve, Bashkia e Shijakut, ne marrim indicie për interesin e tyre. Aplikimet dërgohen tek njësia administrative përkatëse dhe tek fshati përkatës, ku informojmë kryeplakun dhe kryetarin e njësisë administrative. Pas kësaj, çdo aplikim afishohet për 45 ditë, dhe pas përfundimit të këtij afati, përgatitet vendimi i Këshillit Bashkiak dhe më pas lidhja e kontratës me Ministrinë e Ekonomisë”, tha në intervistë për Report TV, Elton Arbana, kryetar i Bashkisë Shijak.
Deri më tani janë regjistruar 54 aplikime, nga të cilat 28 ndodhen brenda zonave të miratuara nga Këshilli Bashkiak për Paketën e Maleve, ndërsa 26 të tjera janë jashtë këtyre zonave dhe përfshijnë prona me status juridik shtetëror. Nisur nga fluksi i lartë, bashkia ka marrë iniciativën për zgjerimin e hartës.
“Nga aplikimet e deritanishme 28 jane pranuar dhe 26 të tjera janë jashtë hartave, që do të thotë se do të skualifikohen. Megjithatë, kemi marrë indicie që ka interes edhe për toka me status juridik shtetëror, por që kanë qenë në posedim të qytetarëve ndër vite. Ne do të propozojmë me vendim të Këshillit Bashkiak përfshirjen e këtyre tokave në Paketen e Maleve”, sqaron Arbana.
Rreth 90% e aplikantëve janë banore që zotërojnë prona dhe synojnë t’i zhvillojnë ato përmes investimeve në turizëm rural siç janë agroturizmet dhe bujtinat.
“Çdo fshat ka nga një liqen, duke ofruar potencial të madh për zhvillimin e agroturizmit. Gjithashtu, vendndodhja gjeografike e Bashkisë së Shiakut, mes Durrësit dhe Tiranës, e bën zonën strategjike për investime turistike”, shprehet kryebashkiaku.
Investimet e pritshme nga aplikantët arrijnë në rreth 20 milionë euro, një shifër që pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale dhe rritjen e punësimit.
“Nga studimi i 28 aplikimeve që kanë kaluar fazën e parë dhe kane paraqitur planin e biznesit, kemi vene re se vetem dy prej investitoreve do punesojne 34 persona. Ne shpresojmë dhe me aplikimet e tjera, numri i të punësuarve të arrijë mbi 100 persona. Vlera e investimeve të planifikuara për këto 28 aplikime është rreth 20 milionë euro”, thekson ai.
Interesi më i madh është shënuar në njësitë administrative Gjepalaj dhe Maminas, ku kërkesat për zhvillimin e projekteve agroturistike dhe bujtinave janë të shumta.
Komente












