Paketa e parë/ Ibrahimaj për Report TV: Ishin 121 mijë aplikime, mbi 60 mijë janë refuzuar! Paketa e 2 refuzimet më të mëdha tek biznesi i madh dhe turizmi

TIRANË- 58 mijë e 987 punonjës kanë marrë pagën e luftës prej 26 mijë lekësh, pjesë e paketës së parë.

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve Delina Ibrahimaj tha për Report TV se në total për paketën e parë aplikuan rreth 121 mijë persona dhe mbi 60 mijë aplikime u refuzuan. Ndërkohë sot është rihapur edhe një herë aplikimi për pagën prej 26 mijë lekësh për punonjësit e biznesit të vogël të mbetur të papunë si pasojë e mbylljes së aktivitetit, dhe që deri më tani nuk kishin aplikuar.  Ndërsa sa i takon paketës së dytë deri më tani kanë aplikuar 94,958 punonjës, dhe është miratuar ndihma për mbi 81 mijë punonjës, ndërsa 73 mijë e kanë marrë.

Edhe në paketën e dytë janë refuzuar 704 kërkesa deri më tani. Ibrahimaj sqaron se këto refuzime më së shumti kanë ardhur si pasojë e kodeve ekonomike të tatimpaguesve, që nuk janë të njëjta si në QKB ashtu edhe në administratën tatimore.

Sa është numri i përfituesve nga paketa e parë deri më tani?

Paketa e parë ka pasur një proces të parë përmbyllje dhe deri më tani kanë përfituar nga ky proces 58 mijë e 987 të punësuar dhe më një total prej 1.54 miliardë lekësh. Kjo është kësti i parë pasi këto të punësuar do të marrin edhe dy paga luftë dhe procesi për marrjen e pagës së dytë dhe të tretë do të jetë automatik. Përsa i përket pjesës së mbetur të aplikimeve pasi ne kishim parashikuar një numër më të lartë përfituesish, dhe ne kemi evidentuar të gjithë Nipt-et që nuk kanë aplikuar dhe sot do të rihapen të gjitha aplikimet për të gjitha ato Nipt-e që nuk kanë aplikuar. Do të bëjmë një njoftim në adresat e tyre individuale në E-Filing ku të gjithë tatimpaguesit  futen për të vendosur deklaratat e tyre të Tatimit mbi fitimin apo të TVSH-së, aty do të marrin një njoftim dhe aplikimi do të jetë i hapur vetëm për ata që rezultojnë përfitues por nuk kanë aplikuar ende dhe për punonjësit e tyre. Ky aplikim do të qëndroj i hapur deri ditën e martë, duke iu dhënë mundësinë që të çelin llogaritë bankare.

Po sa i takon refuzimeve sepse ka pasur një numër të konsiderueshëm. Në çfarë niveli arriti deri në mbylljen e afatit të lejuar?

Ishin rreth 121 mijë aplikime, ndër to janë paguar 58 mijë e 987 dhe mbi 60 mijë kanë qenë refuzime megjithatë ne refuzimet i kemi parë me gjithë kujdes dhe i kemi filtruar, duke pasur parasysh se ato aplikime që ishin bërë nuk janë përfitues të paketës së parë por përfitues të paketës  së dytë, ne ju kemi bërë njoftim të gjithë tatimpaguesve që nuk përfitua pagën e luftës të paketës së parë por janë përfitues të paketës së dytë ne i kemi njoftuar duke i shpjeguar që të aplikojnë në paketën e dytë.

Ndërsa sa i përket atyre që iu është refuzuar aplikimi i paketës së parë dhe nuk janë përfitues as të paketës së dytë  ne kemi bërë një rishikim apo rivlerësim që të ishim 100% të sigurt që administrata tatimore nuk ka bërë ndonjë gabim në vlerësimin e aplikimin e tyre, dhe të gjitha refuzimet u rivlerësuar dhe ato raste ku ka pasur gabime është miratuar paga. Këtu mund të përmend rastet kur kodi ekonomik nuk ka qenë i mirë specifikuar dhe tatimpaguesi i është drejtuar QKB-së për të specifikuar kodin ekonomik dhe në këtë rast i është miratuar. Apo ku tatimpaguesi nuk kishte bërë deklaratën e tatimit mbi fitimin  dhe vinte automatikisht i refuzuar, ne e kemi njoftuar ta kryej dhe më pas ka përfituar.

Sa i takon paketës së dytë si po vijon procesi? Dhe pse në shifra më të vogla edhe aty ka pasur refuzime pse po ndodh?

Paketa e dytë ndryshe nga paketa e parë për rreth 140 mijë të punësuar procedura është automatike, pra të gjithë tatimpaguesit të masës së dytë dhe masës së tretë që përkatësisht tatimpaguesit që kanë larguar staf gjatë periudhës së COVID dhe tatimpaguesit me fitim nga 0-14 milionë lekë janë duke e marrë paketën në mënyrë automatike. Porsa i përket refuzimeve lidhen me masën 2 dhe 4 nga sektori i biznesit të madhe të turizmit. Tatimpaguesit mbi 14 milionë lekë që iu është mbyllur aktiviteti me urdhër qeverie dhe ka biznese në shumë raste që zhvillojë aktivitet jo vetëm në një fushë. Pra kanë të punësuar që mund ti kenë të punësuar brenda një aktiviteti të mbyllura dhe ka edhe të punësuar në aktivitet që nuk janë të mbyllura. Masa e 2 parashikon përfitime për ato të punësuar për ato aktivitete që janë të mbyllura dhe kjo është arsye se përse disa aktivitete mund të refuzohen. Ndërkohë e njëjta logjikë vlen edhe për turizmin dhe aty mund të ketë biznese të mëdha që mund të zhvillojë aktivitete në shumë fushe dhe kodet mund të mos jenë të specifikuara dhe në këto raste, duke qenë se problematika kryesore lidhet me kodet dhe specifikimet e aktivitete dhe në fakt janë përgjegjësi e tatimpaguesit specifikimi i kodit ekonomik të aktivitetit të tyre. Ju bëj thirrje që të tregohen të kujdesshëm pasi kjo situatë ka ardhur për shkak të neglizhencës së tatimpaguesve për të qenë korrekt dhe të kujdesshëm për specifikimin e kodeve në QKB. saktësimi i kodeve do të saktësojë jo vetëm marrjen e pagës së luftës por edhe hapjen e aktivitetit të tyre, pasi duhet të marrin leje.

Keni informacion nëse ka pasur shumë tatimpagues që i janë drejtuar QKB-së për të ndryshuar kodin?

Nuk kam informacion për shifrat por nga kontakti që kam pasur me QKB, ka pasur një numër të konsiderueshëm.

Nëse do të marrim një mesatare, për sa mund të flasim deri më tani që është numri i personave që kanë mbetur të papunë?

Numrat që janë referuar nëpër media janë shumë operativ, pra e dhëna zyrtare e të larguarve nga puna është ajo që deklarohet në listë-pagesa dhe tregu i punese është shumë dinamik ku shumë tatimpagues marrin dhe heqin shumë punonjës brenda muajit, pasi mund të marrin një punonjës për 10 ditë, 20 ditë çdo muaj sepse i tillë është procesi i punës. Pasi duhet të themi që jo çdo i larguar nga puna është i larguar definitiv pasi mund të rikthehet. Një shifër finale jepet pas datës 20 ku bëhet deklarimi i listëpagesave dhe ne mund të jemi të sigurt për shifrën që japim.

Po të paktën deri më tani sa kanë dalë nga sigurimet shoqërore?

Në datën 20 (maj) mund t’ju jap një përgjigje për këtë.

Ju keni marrë një sërë masash për bizneset për ti lehtësuar për këstet e tatimit mbi fitimin që ata bëjnë. Sa pritet të jetë ndikimi në të ardhurat, duke qenë se biznesit të vogël ja keni pezulluar?

Ndikimi në të ardhura nga biznesi i vogël është shumë më i vogël se ai i biznesit të madh. Në fakt 70% e të ardhurave që mblidhen nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të ardhurave vijnë nga rreth 1150 subjekte, që janë nga tatimpaguesit e mëdhenj dhe që kanë edhe ndikimin kryesor në të ardhura. Për mënyrën se si funksionojnë tatimet dhe mbledhja e të ardhurave tatimore, ne gjithmonë ne Prill marrim të ardhurat e muajit mars. Duke qenë se në muajin mars kemi pasur aktivitet 10 ditët e para ne ende nuk kemi shifra të sakta për dëmin ekonomik që është shkaktuar, në këtë tatimpagues. Muaj maj do të na tregojë se sa ka qenë dëmi ekonomik që ka shkaktuar mbyllja e aktiviteteve gjatë muajit prill kur kanë qenë të bllokuara dhe do të kemi një pasqyrë të saktë në fund të muajit maj se sa ka qenë ngadalësimi dhe për të bërë edhe parashikimet e tjera për muajit e mbetur të vitit.

Janë shtyrë këstet e pagimit edhe për një kategori të biznesit të madh, të paktën në tetor vijojnë të paguajnë muajit e fundit. A mund të çojë edhe në rishikim të kësteve që ata paguajnë duke qenë se biznesi është i pezulluar dhe nuk ka nxjerrë përfitimin e vitit të kaluar?

Kjo është një procedurë standarde e parashikuar në ligjin e procedurave tatimore, pra çdo tatimpagues ka të drejtën të kërkojë rivlerësimin e kësteve, nëse plani i biznesit të tij ndryshon.

Mendoni ndonjë hap tjetër që mund të ndërmerrni për t'i ardhur në ndihmë biznesit?

Sigurisht që qeveria ka planet A, B  dhe C për situatën me të gjithë skenarët nëse do të vijojë të përkeqësohet apo do të rifillojë përmirësimi që ndjehet dhe më tani, sigurisht që ka një plan të dytë, dhe në këtë rast do të jetë një plan për nxitjen e rimëkëmbjes së ekonomisë, ka diskutime por ende nuk kemi të finalizuar asgjë. Por ne jemi institucion zbatues dhe jo politikbërës.

B.K./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'