Ministri i Brendshëm Taulant Balla, së bashku me Kryetarin e Bashkisë Mirditë Albert Melyshi zhvilluan sot një takim në gjimnazin e Rrëshenit, ku panë nga afër masat dhe diskutuan mbi Paketën e Sigurisë në Shkolla. Ministri Balla kërkoi mbështetjen e stafit pedagogjik e veçanërisht të nxënësve për të qenë bashkë me policinë, kundër paligjshmërisë.
“Mund t’ju garantoj që Policia e Shtetit do ta ndryshojë tërësisht rolin e saj në komunitet, të jeni të bindur për këtë! Bashkë me Kryetarin e bashkisë, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, e dhe të gjithë autoritetet e tjera, besoj që keni dëgjuar ndoshta edhe nga mësuesit, nga drejtuesit e arsimit, ne po zbatojmë në të gjithë Shqipërinë, një paketë sigurie për sa i përket perimetrit rreth shkollave. Por duam edhe bashkëpunimin tuaj, se besoj që edhe këtu në Rrëshen ekzistojnë elementë të caktuar, të cilët mundohen që t’ju tërheqin në një rrugë të gabuar. Përdorimi i lëndëve narkotike i bën dëm edhe shëndetit tuaj, edhe financave të familjes. Apeli im, së bashku me Kryetarin e Bashkisë së Mirditës është që mos bini pre e këtyre që duan të bëjnë ‘biznes’ me jetën tuaj dhe financat e familjes suaj. Harxhojini ato para që ju japin prindërit në mëngjes për të blerë një kruasant, një libër, por jo për lëndë narkotike. Jam shumë i sigurt që më mirëkuptoni, sepse më shumë se ju, më mirëkuptojnë prindërit tuaj”,
“Këtu kam fatin që Kryetarin e bashkisë e kemi ish mësues. Ne do bëjmë gjithçka që besën që na kanë dhënë prindërit tuaj për t’u kujdesur për ju, ta respektojmë çdo ditë të vitit qoftë brenda shkollës, qoftë në perimetrin e sigurisë. Unë e di që nuk i keni qejf fjalimet e gjata. Dua të falënderoj gjithë kolektivin mësimor në këtë shkollë, një shkollë me shumë emër, një shkollë që ka prodhuar për shumë vite, shumë intelektualë, që kanë një kontribut të shquar jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë saj. Ka plot djem e vajza, burra e gra që kanë studiuar në gjimnazin e Rrëshenit dhe sot e nderojnë Shqipërinë kudo që janë edhe prej këtu mendoj t’iu themi “shumë faleminderit” për emrin e mirë që i kanë dhënë Mirditës, që i kanë dhënë Rrëshenit”, nënvizoi ministri i Brendshëm.
Kryetari i Bashkisë së Mirditës, Albert Melyshi pasi falenderoi ministrin Balla për vizitën u shpreh se nuk mund të ketë rrugë tjetër veç arsimit, për të formuar brezat e rinj.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit tha se rritja e besimit tek forcat e rendit, garanton siguri të shtuar.
“Kënaqësi që ndodhem mes jush, DVP Lezhë dhe Komisariati ka marrë masat për Paketën e Sigurisë në Shkolla. Kemi prezencë të shtuar qoftë në perimetrin, por edhe në monitorim të gjithë problematikave të tjera që lidhem me cenimin e nxënësve, fenomene negative që lidhen me çështje të narkotikëve, bullizmit etj. Në analizën që kemi bërë për shkollat e Rrëshenit, ndër vite, nuk kemi patur problematika të tilla. Do të jemi bashkë. Por kërkoj besim tek Policia dhe ndarjen e çdo informacioni sado pa vlerë që e mendoni, sepse e kthejnë në vlerë për të rritur sigurinë”, apeloi Rrumbullaku.
Paketa e Sigurisë në Shkolla e prezantuar para nisjes së vitit të ri shkollor, përfshin masa për sigurinë publike, sigurinë rrugore dhe atë urbane.