KUETTA- Një qytet pakistanez është goditur sërish brenda 24 orëve nga një tjetër sulm me bombë.
 
Të paktën tetë veta u vranë kur persona të armatosur hapën zjarr jashtë një xhamie në qytetin Kuetta, në jug-perëndim të Pakistanit.
 
Rreth 15 të tjerë u plagosën në këtë sulm, ku viktimat ishin besimtarë të cilët po dilnin nga xhamia pas faljes së namazit me rastin e Fiter Bajramit.
 
Të enjten dhjetëra pakistanezë vdiqën në një sulm vetëvrasës me bombë po në Kuetta.
Kohët e fundit, Kuetta ka parë një rritje të dhunës sektare, ku në shënjestër janë vendosur pakica myslimane shiite.
 
Ndërkohë SHBA ka urdhëruar që pjesa më e madhe e stafit diplomatik të lejë Konsullatën në qytetin pakistanez të Lahores. Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se masa ishte në përgjigje të një "kërcënimi të besueshëm" kundër konsullatës.
 
Që prej 4 gushtit, SHBA-ja ka mbyllur 19 misione diplomatike në Lindjen e Mesme dhe Afrikë në përgjigje të kërcënimive terroriste ndaj ambienteve dhe personelit amerikan.
 
Autoritetet pakistaneze janë në një gjendje gatishmërie të lartë, sidomos në institucionet kyçe qeveritare në kryeqytetin pakistanez të Islamabadit.

Redaksia Online
(l.ç/e.s/shqiptarja.com)