Autoritetet palestineze konfirmuan zhvarrosjen e ish udhëheqësit Jaser Arafat mëngjesin e sotëm. Mbetjet trupore do t’i nënshtrohen disa analizave laboratike nga ekspertë zviceranë, francezë dhe rusë për të kuptuar nëse vdekja e tij në Paris në vitin 2004 u shkaktua nga helmimi.

Nga ekspertiza mjekologjore e Arafat-it thuhet se ai kishte pësuar një hemoragji celebrale që i shkaktoi më pas vdekjen. E veja e tij, Suha, e cila kundërshtoi një autopsi post-vdekje në atë kohë, i kërkoi më pas Autoritetit Palestinez që të lejonte zhvarrosjen e trupit të burrit të saj "për të zbuluar të vërtetën". Gjatë analizave të bëra mbi sendet personale dhe kampionëve biologjikë të liderit palestinez, u gjend një nivel domethënës poloniumi. Pas zbulimit të ekspertëve zviceranë Franca nisi një hetim zyrtar në muajin gusht.

 “Për shkak të shenjtërisë së kësaj ngjarjeje, zhvarrosja nuk u lejua përpara kamerave të mediave”, tha për gazetarët ish-kreu i shërbimit inteligjent palestinez Tawfik Tirawi. Aktualisht ai kryeson një komitet për hetimin e shkaqeve të vdekjes së Yasser Arafatit ndërsa tha se rivarrimi do të bëhet po sot me nderime ushtarake. Arafati, i cili udhëhoqi Organizatën Çlirimtare të Palestinës për 35 vjet dhe u bë presidenti i parë i Autoritetit Palestinez në vitin 1996, u sëmur në selinë e tij në Ramallah dhe vdiq në Paris më 11 nëntor të vitit 2004 në rrethana që mbeten ende misterioze.
(dm/shqiptarja.com)