TIRANE- Kryeministri Berisha sqaroi sot votën abstenim që dha më 29 nëntor në OKB për Palestinën. Sqarimi vjen një ditë pasi mediat turke publikuan lajmin se kryeministri Erdogan i kishte bërë presion duke i kërkuar kryeministrit Berisha që Shqipëria të mos abstenonte por të votonte pro pranimit të Palestinës si shtet me statusin e vëzhguesit në OKB.

Në mbledhjen e sotme të grupit PD Berisha tha qëndrimi i tij për rezolutën Palestineze e kishte bërë publik edhe në shtator të 2011 në sesionin e OKB-së. Madje qëndrimin se Shqipëria mbështet plotësisht zgjidhjen e dy shteteve të pavarura, ia kishte bërë publik edhe vetë Palestinës.

 “Turqia është një aleate e shkëlqyer dhe Erdogan është një ndër miqtë më të mëdhenj të kombit shqiptar. Dua të theksoj se qëndrimin tonë ndaj rezolutës së paraqitur nga një grup i gjerë vendesh, si kryeministër i këtij vendi e kam shprehur publikisht në shtator të 2011 në sesionin e organizatës së OKB-së.

Shqipëria mbështet plotësisht zgjidhjen e dy shteteve të pavarura. Është një ndër vendet e pakta që ka njohur shtetin palestinez, por në shtator të 2011 kam shprehur qëndrimin negativ ndaj kësaj rezolute. “- tha Berisha.

Kryeministri shtoi se besonte se kjo cështje “më komplekse e më e vështira në planet” nuk mund të zgjidhet përmes përpjekjeve për të anashkaluar SHBA.

“Ekziston një vullnet i shprehur nga Obama dhe administrata e tij për të zgjidhur cështjen mes dy shteteve të pavarura. Një problem kaq i komplikuar kërkon përpjekje më të mëdha por gjykoj se roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm”- nënvizoi Berisha.

Kryeministri shtoi se me Izraelin Shqipëria kishte lidhje historike dhe gjatë vizitës që kishte pasur në Izrael vitin e kaluar ata ishin shprehur të gatshëm për gjetjen e një zgjidhjeje mes dy shteteve të pavarura.

“Shteti palestinez është një vend mik, por dhe Izraeli është një vend mik me të cilin kemi disa lidhje historike dhe jemi padiskutim të ndjeshëm ndaj cdo lloj faktori dhe zhvillimi në rajon. Në vizitën time në Izrael presidenti Perez dhe kryeministri Netanjahu dhe autoritetet që kam takuar më janë shprehur se janë plotësisht për një zgjidhje mes dy shteteve të pavarura, por me siguri të plotë dhe jo nën kërcënim. Kjo rezolutë u firmos nga dhjetra shtete që nuk njohin Izraelin. Do të ishte e rëndësishme që ata që votuan pro , të njohin Izraelin”- tha Berisha.

Duke iu kthyer  marrëdhënieve me Turqinë Berisha tha se Shqipëria është e vendosur të zhvillojë marrëdhëniet me Turqinë. “Lidhjet mes dy vendeve janë të shumanshme dhe jam i bindur se do të njohin zhvillime të tjera pozitive. “- tha Berisha.

Berisha ne mbledhjen e grupit PD foli dh per hetimet e Carla del Pontes
Berisha: Del Ponte të pranojë hetimin, akuzat pazar me Beogradin

(sg;/shqiptarja.com)