TIRANE - Ambasada e Palestinës në Republikën e Shqipërisë përmes një deklarate për mediat ka shprehur falenderimin për ambasadat e shteteve që votuan pro që Palestina të merrte statusit e shtetit “vëzhgues ” në OKB.

“Ambasada e Shtetit te Palestinës në Shqipëri ka nderin të shprehë falenderimet e saj më të sinqerta ambasadave të shteteve të cilat me votën e tyre pro Palestinës, votuan pro së drejtës dhe lirive të njeriut, pro legjitimitetit ndërkombëtar duke përkrahur kështu fundin e pushtimit racist Izraelit ndaj popullit Palestinez.
Në emër të popullit palestinez i drejtohemi shumicës dërmuese të vendeve të botës dhe njerëzve të lirë në botë, me falenderimet më të ngrohta dhe të përzemërta për qëndrimin e tyre të palëkundur, qëndrim i cili përfaqeson lirinë dhe vlerat njerëzore. Gjithashu i sigurojmë se populli palestinez dhe ai arab nuk do ta harrojnë kurrë këtë qëndrim dhe do ta mbajnë atë të ngulitur thellë në mendjet dhe historinë e tyre”, thuhet në deklaratën e ambasadës së Palestinës.

Më tej në deklaratë ambasada e Palestinës uron shqiptarët për ditën e çlirimit, duke vënë në dukje se data 29 nëntor tashmë do të jetë data kur u hodhën hapat e para për çlirimin e palestinës.

“Me rastin e këtij momenti dhe date historike për pupullin e Palestinës, moment dhe datë e cila përkon edhe me përvjetorin e çlirimit të Shqipërisë, i drejtohemi popullit mik dhe bujar shqiptar me përshëndetjet tona më të ngrohta dhe më përzermërta, duke i uruar atij zhvillim, prosperitet dhe realizim të të gjitha ëndrrave dhe aspiratave të tij për të ardhmen. Data 29 nëntor do të jetë edhe për popullin palestinez një datë në të cilën u hodhën hapat e para për çlirimin e Palestinës”, thuhet në deklatara.

Asambleja e Përgjithshme e OKB ka votuar dje për të njohur Palestinën si shtet vëzhgues jo-anëtar, një lëvizje e cila u kundërshtua fuqimisht nga Izraeli dhe SHBA-ja.

Asambleja votoi 138 pro 9 kundër dhe 41 shtete abstenuan. Shqipëria ishte nga 41 shtetet që abstenoi.

(eç/shqiptarja.com)