Konferencën për shtyp kryetari i PS-së e nisi me një urim për 100 vjetorin e policisë së Shtetit dhe me “vlerësim të sinqertë për të gjithë ata që nën uniformën blu sakrifikojnë, dhe i shërbejnë devotshmërisht shoqërisë".
Ai nënvizoi se jemi të vendosur që "mësuesit policit e mjekut t'i kthejë dinjitetin e cënuar gjatë të gjithë këtyre viteve të keqqeverisjes e keqtrajtimit të këtyre tre figurave."
Rama tha se kemi të bëjmë me një “Keqtrajtim të figurës së policisë dhe politizim i skajshëm të saj." Ai bëri publike edhe disa të dhëna të një sondazhi të fundit bërë nga selia rozë, ku sipas PS 72% e shqiptarëve thonë se gjendja e kriminalitetit dhe pasigurisë në vend eshtë shumë e keqe. Për Ramën situata ekonomike në vend sa vjen dhe përkeqësohet dhe rrugëdalje e vetme nga kjo gjëndje është rindërtimi i modelit ekonomik duke ripërsëritur vendosmërinë që “në 100 ditët e para të qeverisjes të heqim taksën e biznesit të vogël dhe të lehtësojmë frymëmarrjen për këto biznese dhe do të hapim një shteg që të tjerët të punësohen nëpërmjet biznesit të vogël”.
PALLATI I LINDËS, RAMA: AUTORET MERITOJNE PERBUZJE, POPULLIN DO E SHPJEGOJ
Vëmendja e gazetarëve sot ishte përqëndruar në zbulimin e së vërtetës mbi pallatin 5 katësh që sipas PD-së i takon Linda Bashës. Megjithëse pyetjet ishin të shumta, Rama u tregua i rezervuar në përgjigjet e tij duke deklaruar se “autorët e kësaj ofensive shpifjeje nuk meritojnë përgjigje por përbuzje. Ndërsa opinioni meriton shpjegim dhe do ta ketë. “
Kryetari i PS-se nuk bëri të qartë kohën se kur do të jetë ky shpjegim “Për detajin e plotë dhe shpjegimin do duhet të prisni kur të jetë i detajuar”. Kryesocialisti kritikoi dhe mediat të cilat sipas tij nuk bënë një investigim për të vërtetuar akuzat e dala nga selia PD e PS. I pyetur nëse ka pasur konflikt interesi në momentin e dhënies së lejes së ndërtimit dhe kur do të jepte përgjigje për këto akuza, Rama tha: “Shpjegimin qytetarët e meritojnë dhe do ta marrin. Por sesi kur dhe ku do e vendos më vonë.”
Madje ai tërhoqin vëmendjen e medias “Pse nuk vërtetuat nëse Balla thotë të vërtetën për pasuritë e Argita Malltezi”.
NUK RRISIM TAKSAT, POR KUSH S’I PAGUAN E GJEN BELAJA
"Ne nuk do të rrisim taskat, por kush fiton më shumë do paguajë më shumë, kush fiton më pak do paguajë më pak.”- tha Rama duke shtuar se “Nuk do të ulim asnjë rrogë, por do të fokusohemi te taksimi i drejtë. Kush nuk do paguajë taksa do gjejë belanë në këtë vend. Do ngremë një agjenci për të ndjekur këmba këmbës deri në fund atë që përpiqet t’i iki taskave"- tha Rama.
RAMA: KOALICION I MUNDSHEM ME LSI NESE KTHEHET NE IDENTITET
I pyetur për koalicionet parazgjedhore Rama tha se “Nuk kam bërë ftesë as për LSI as për FRD" por "Jam pozicionuar për të treguar si mund të jetë një koalicion i mundshëm. Vetëm nëse LSI zgjedh patericë e Saliut apo kthim në identitet” - tha Rama.
I pyetur nëse mund të bashkëqeverisë me Ilir Metën, të cilën e ka akuzuar si të korruptuar Rama tha: "Hyj tek njerëzit që kanë bindjen që çështja e korrupsionit është çështje sistemi. Sistemi korrupton njerëzit dhe jo e kundërta. Prandaj lufta kundër korrupsionit në Shqipëri është bllof. Është një sistem i ndërtuar mbi korrupsionin, e për të. Unë besoj se detyra jonë që morëm përsipër të përfaqësojmë interesat dhe programet është më shumë e lidhur me interesin kombëtar, publike sesa personal. Nuk është çështje marrëdhëniesh personale, por interesi kombëtar, që Shqipëria të dalë nga ky kurth, dhe këtë nuk mund ta bëjmë duke hyrë në koalicion me Berishën, por me këdo që është përballë Sali Berishës e PD-së për rotacionin dhe për realizimin e programit të rilindjes kombëtare.
PETICIONI NGA SPECIE INTELEKTUALESH TE RRITUR NE REZERVATIN E ENVER HOXHES
Lidhur me peticionin e nënshkruar nga 100 intelektualët ndaj Edi Ramës për të miratuar 3 ligjet e kërkuara nga BE, Rama u përgjigj se është peticion për para dhe po ushtrohet presion për tu firmosur edhe nga të tjerë. "Specia e intelektualit që pozicionohet pro qeverisë e kundër opozitës është rritur në rezervatin e Enver Hoxhës. Unë ndjej keqardhje dhe dhembsuri të sinqertë njerëzore. Po bëhet presion i pashembullt për të detyruar punonjësit për të nënshkruar peticionin. Pres një falangë firmash. Është shumë e vjetër, bajate, është për para.”
RAMA: DUHET RINDERTIM I MODELIT EKONOMIK, BRENDA 100 DITEVE HEQIN TAKSEN E BIZNESIT TE VOGEL
Sipas Ramës e vetmja mundësi për daljen e vendit nga kriza është rindërtimi i modelit ekonomik. Ai ripërsëriti vendosmërinë që “në 100 ditët e para të qeverisjes sonë të heqim taksën e biznesit të vogël dhe do të lehtësojmë frymëmarrjen për këto biznese dhe do të hapim një shteg që të tjerët të punësohen nëpërmjet biznesit të vogël”.
I pyetur për akuzat e Berishës se taksën e biznesit të vogël vendos pushteti vendor Rama tha: "Taksën e biznesit të vogël s’e vendos bashkia. E vendos qeveria dhe e heq qeveria. E vendos shumica në parlament. E propozuam ta heqim, por su hoq, sic propozuam të hiqet TVSh-ja për makineritë për të gjithë bizneset”
FMN E BB VERTETUAN SHIFRAT E PS
Rama tha se FMN-së e Banka Botërore vërtetoi shifrat që PS publikoi në lidhje me rritjen ekonomike. “PS deklaronte për një situatë të atillë ekonomike që mund të përfundojë me një rritje ekonomike nën 1%. Shifrat e FMN e BB u afruan shifrave që ne i parashikuam që në fillim të vitit”- tha Rama.
BORXHI PUBLIK MBI 100 %
"Zyrtarisht borxhi është 61. 5 por po të shtojmë punët e papaguara dhe detyrimet që burojnë nga vendimet e gjykatave jemi mbi 100 %."- tha Rama.
RAMA: KURUM TË MOS PRIVATIZOJË 4 HEC, NE NË QEVERI DO ZBRAPSIM
Kreu i PS-së i bëri thirrje kompanisë KURUM të mos privatizojë 4 HEC-et, Bistrica 1 dhe Bistrica 2 , Ulëz e Shkopet, pasi me të ardhur në qeveri do e anulojë.
“Ne do t’i zbrapsim këto 4 HEC nga duart e privatit tek duart e shtetit. I përsëris kompanisë të mos i blejë këto 4 HEC. Ne do e zbrapsim. Ne nuk do shesim 4 asete fitimprurëse ku janë investuar paratë e shqiptarëve të shitet. Nuk ka sens. Pse duhet t'i kalojë privati. Pse ne duhet t’i shtrijmë dorën këtij privati për energjinë që duhet të furnizojmë publikun?"- tha Rama.
Menjëherë sapo përfundoi konferencën për shtyp për gazetarët, Edi Rama vijoi konferencën online me ndjekësit e tij në Twitter. I pyetur nëse PS mund të fitojë edhe pa LSI Rama u përgjigj: "Sigurisht që ne do fitojmë pa LSI. LSI nuk kushtëzon fitoren tonë, po kthimi në identitet i LSI do i jepte fund një anomalie. Lidhur me një koalicion me FRD, Rama tha se për këtë vendos Bamir Topi."
(sg/shqiptarja.com)