Ish-pallati i princeshave që ndodhet përballë godinës së parlamentit është kthyer në një konflikt jo vetëm gjyqësor, por edhe deklaratash publike, ku pas pretendimeve të Kryqit të kuq, se objekti është në pronësi të tyre, reagimi vjen nga një anëtar i oborrit mbretëror që tregon se prona i është dhënë Kryqit të Kuq nga pushtuesit italianë.

Në një intervistë të botuar sot në gazetën Shqiptarja.com Sulejman Gjana, nënkryetari i Partisë së Legalitetit njëherësh dhe zëdhënësi i oborrit mbretëror tregon se ish-pallati i princesha nuk i është dhuruar nga familja mbretërore, por ka qënë pushtuesi italian ai që ka sekuestruar objektin dhe më pas brenda asaj dite ja ka dhuruar Kryqit të Kuq.

Gjana përjashton çdo mundësi për ekzistencën e një akt dhurimi ndërkohë që shton se vonesa e padisë në gjykatë, ka ardhur për shkak të mos gjetjes në kohë të dokumentacionit.

PADIA
Në 29 maj të këtij viti princi Leka Zogu i II, ka depozituar në gjykatën e Tiranës një padi civile ku ka paditur Komisionin e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, Kryqin e Kuq Shqiptar si dhe zyrën e pasurive të pa luajktshme. Në objekt padinë kërkohet anullimi i vendimit nr.38 të datës 27 maj 1997 i nxjerë nga KKP Bashkisë Tiranë. Gjithashtu në padi kërkohet detyrimi i të paditurit Kryqi i kuq Shqiptar të njohë pronar paditësin Leka II Zogu për godinën dykatëshe me sipërfaqe trualli 1300 m2 pallati princeshave, sot Biblioteka e Librit të huaj. Detyrimin të paditurës ZVRPP Tiranë të fshijë nga regjistrimi pronën e trajtuar në VKK e pronave nr. 38 datë 27 maj 1997 dhe detyrmin e saj për të bërë regjistrimin e kësaj prone në favor të trashëgimtarit të të ndjerit Ahmet e Leka Zogu i paditësit Leka II Zogu.