Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se po nxit komunistët të demonstrojnë me flamuj të kuq dhe portretin e diktatorit. Kjo deklaratë u bë të enjten nga Kryetari i grupit
Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili mori shkas nga demonstrimet me portretin e diktatorit Hoxha në qytetin e Gjirokastres me rastin e 70-të vjetorit të çlirimit.

Paloka u shpreh se "janë valvitur flamuj të kuq dhe fotot e diktatorit Hoxha dhe nxënesit janë veshur me shallin e pionierit të Enverit. Ky demonstrim qeveritar që ndodh vetëm tre ditë para vizitës së Papes në Shqipëri, është një fyerje për mesazhin që Ati i Shenjt dha lidhur me vizitën e tij. Ai u shpreh se "do të vizitojë një vend që ka vuajtur shumë për shkak të regjimit të tmerrshëm ateist". Ky demonstrim është një hipokrizi e ulët e kryeministrit. Ndërsa Tirana e pret Papën me martirët e vrarë që janë vendosur në bulevard, qeveria bën paradë me fotot e vraseve në qytetet e tjera të vendit".

"Ky është një provokim i ulët që i bëhet vendit tonë dhe njerëzve të vuajtur në kohën e diktaturës komuniste. Partia Demokratike e denon këtë veprim komunist nën kujdesin qeveritar dhe kërkon menjëherë ndalimin e këtyre provokimeve pak ditë nga vizita e Atit të Shenjtë", u shpreh Paloka. ATSH