Paloka: Me Gjonin sulm KLD-së
Me Argitën sulmohet Berisha

TIRANË – Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka ka deklaruar sot se gjyqtari Gjin Gjoni, me një pasuri prej 2 milionë eurosh, po përdoret nga mazhoranca për të sulmuar KLD-në. “Nuk është krim në këtë vend të jesh i pasur,”- tha ai, - “unë nuk e mbroj atë dhe as e vë dorën në zjarr për askënd, por nëpërmjet z.Gjoni po sulmohet KLD-ja!”  Të njëjtin argument Paloka përdori edhe për rastin e vajzës së ish-Kryeministrit, Argita Malltezit, duke i konsideruar si politike, akuzat e ngritura së fundmi ndaj saj nga një biznesmen pakistanez. "Eshtë e drejta e çdo studioje avokatore të vendosë vetë pagesën për shërbimin, qoftë edhe 3 milionë euro,"-  tha ai.
 
Deklaratat e tij, Paloka i bëri gjatë intervistës me gazetarin Ilir Babaramo në emisionin e “5 Pyetje nga  Babaramo" në tv "A1Report!".

I pyetur për reformën në drejtësi, Paloka theksoi se po sulmohen gjyqtarët, prokurorët e të gjithë pa përjashtim. Duke publikuar dhe akuzuar një gjykatës për një pasuri prej 1-2 milionë eurosh, - argumentoi ai, - ndikohet tek qytetarët që janë të ndjeshëm ndaj këtyre të dhënave, por nuk është krim të jesh i pasur. Krim është po qe se e ke bërë këtë pasuri me drogë, siç e kanë bërë gjysma e deputetëve socialistë, - nënvizoi -, duke shtuar se dinte që e shoqja e gjyqtarit kishte biznese të sukseshme prej disa vjetësh. Gjithsesi, deputeti demokrat nguli këmbë dy herë duke thënë se “nuk e mbroj z.Gjoni dhe as vë dorën në zjarr për askënd, por e kam tek spekulimi, tek fenomeni.”
 
Paloka foli gjërë e gjatë edhe për çështjen e trafikut të drogës nga Forcat e Armatosura. Sipas tij, - vetë dokumenti i SHISH-it është një provë. Ministrja Kodheli u pyet dhe nuk tha se kishte dijeni dhe si kishte vepruar për këtë çështje. Qeveria që në fillim u mundua ta bënte qesharake atë çështje dhe do të ishte skandal të tërhiqeshe prej saj; avionët janë të konfirmuar, i vetmi dyshim është që a kanë transportuar drogë, ndryshe mazhoranca të provojë se avionët që ngrihen fshehurazi tranportokan groshë!"

Ironia dhe batutat nuk munguan gjatë përgjigjeve të Palokës. "NATO merret me avionë, nuk studion kaçatorrë" u shpreh ai. Po ashtu, për çështjen e reformës territoriale, ai tha se harta është përfunduar pasi mazhoranca kërkon të fitojë zgjedhjet lokale vitin tjetër me komunat e PD-së që janë afër, "rrotë më rrotë."

Por, në fund nuk mungoi edhe kërcënimi i tij se PD-ja do ngrihet në protestë, ndoshta edhe më lart se aq nëse Kryeministri Rama do të kërkojë të marrë vetë kompetencat e Presidentit, KLD-së, ILDKP-së etj. etj pak a shumë siç bëri Hitleri. PD-ja nuk do ta lejojë Ramë dhe do ta ndalojë ashtu siç veproi në vitin 1990 me babanë e tij dhe etërit e atyre që sot qeverisin, - përfundoi ai.

PJESE NGA INTERVISTA ME EDI PALOKEN

Shkresën e SHISH-it nuk e ka nxjerrë media, por ish-Ministri i Mbrojtjes Imami apo jo?
Është bërë spekulim nga mazhoranca për këtë. Njëherë ia kalonin Vishos, se gjoja ai punonte për PD-në. por ajo ka dalë nga Ministria e Mbrojtjes, se kishte siglën e ministrës mbi të dhe pastaj ka dalë prej ministrisë.
 
Po mund të jetë nxjerrë nga SHISH-i pasi ka marrë siglën?
Jo, se ministrja s’kishte pse i kthente shkresën SHISH-it, por  të merrte masa me strukturat e saj. SHISH-i nuk kishte nevojë për OK-ein e ministres. Kjo ishte pjesa tjetër e pyetjes që i bëmë ministres dhe çfarë masash ke marrë. Por jo, ata u tallën dhe vazhduan sot e kësaj dite. Del një deputete e PS-së e thotë “ëndrrat që ka parë opozita”…kur përditë dalin njerëz që thonë se kanë parë avionë.
 
Po ka dhe njerëz që thonë se kemi parë alienë?
Ata thonë se kanë parë avionë.
 
Kanë thënë se kanë parë drogë në avionë?
Ky ishte variant i fundit i mazhorancës, që me avionë pse të transportohet drogë. Jo po të transportonin groshë! Futën dhe NATO-n aty por NATO merret me avionë, nuk studion kaçatorrë. Ka radarë nën 3000 mijë metra që nuk kapin asgjë. Po ushtria në Shqipëri është më e fortë se në SHBA?! Ka avionë në SHBA që shkojnë dhe nga Kolumbia. Ka diçka që e dekonspiroi sot Majko.

Po me kaçatorrë nuk vjen dot droga nga Amerika Latine…
Jo, se ka rrugën e vet kjo punë. Linjat që aty kalojnë janë të arritshme. Janë shumë dëshmitarë që e vërtetojnë këtë. Ata u përpoqën që ditën e parë “gjeni prova e fakte”. Por opozita nuk mund të kapë avionë, por janë strukturat që duhet të vërtetojnë se mbase dikush bën tregti groshësh me avionë.
 
Po Visho e mohoi….
Visho nuk mohoi dokumentin që kishte firmosur vetë por tha se nuk provojmë më tepër se kemi informacion. Në dokument thuhet se është konfirmuar që kanë zbritur avionë, por nuk është vërtetuar që avioni ka transportuar drogë. Dyshimi është, rrethanat të çojnë aty. Dyshimi është a kanë ardhur avionët fshehtas për të sjellë groshë në Shqipëri.
 
Fantazia ka qenë shumë pjellore në kët periudhë. Po ju si gjykoni që Visho i akuzuar si vegël e opozitës, ngre hipoteza të paprovuara që t’ia pëlcasë si bombë kësaj mazhorance?
Po të vazhdojmë me këtë fantazi të sëmurë që meqë qenka Rama deputet në Vlorë, të themi se është parë makinë me targa Vlore.
 
Po pse e ka ndryshuar deklaratën?
Nuk e ka ndryshuar deklaratën.
 
Po ai jo vetëm e ndryshon, por bën thirrje pse spekulohet me dokumentin…
Unë nuk jam Visho Ajazi, nuk jam në mendjen e tij. Ai mohon që të ketë vërtetuar, provuar se ka trafik droge. Ai i qëndron besnik asaj që ka thënë, pjesën tjetër thotë është spekulim. Ai quan spekulim faktin se ne e kemi marrë të mirëqënë atë provë.

Po për komisionin hetimor?
Ata kërkojnë të na hetojnë ne se kush e ka dhënë informacionin, kurse ne duam jot ë implikojmë FA-të por të dimë a po përdoren avionët për trafik droge? Ne duam të vërtetojmë a ka rritje trafiku jo zbriti në Gjadër apo ku di unë. Ne nuk thamë që Edi Rama ka qënë tek ai avion apo Mimi Kodheli, por hajde ta hetojmë. Ata duan që të na hetojmë ne, ku e gjetët ju informacionin ndërkohë që Erion Braçe e tundte dokumentin para tyre. Ne do çojmë anëtarë në këtë komision, por nuk do ta votojmë atë.
 
Po komisionin për reformën territoriale pse e bojkotuat?
Për ne është më i rëndësishëm ky që folëm. Por ne jemi dakord që Shqipëria ka nevojë për reformë territoriale, por jo emergjencë, sikur do të shkatërrohet vendi dhe kjo reformë do të shpëtojë Shqipërinë. Është krijuar ideja sikur kjo është gjëja më e rëndësishme. Kemi jetuar edhe pa këtë reformë dhe nuk është as kusht i BE-së siç u përpoqën ta fusin tinëzisht në Bruksel. Gjithçka po e bëjnë se zgjedhjet locale të ardhshme t’i bëjnë me hartën e re elektorale, të marrin shumicën e komunave. Si janë të shqetësuar për të mirën e qytetarëve kur s’i pyesim fare? Është kusht që për këtë reformë t’u merret mendim krerëve të pushtetit lokal…
 
Z.Fino tha sot se në korrik do t’u merret mendim edhe atyre.
Do t’u marrin mendim pasi ta kenë mbaruar? Se ata e kanë mbaruar punën. Ata hartën e kanë të përcaktuar.
 
A jeni në dijeni të hartës? Çfarë të keqe ka ajo?
Harta synon që të merren nga mazhoranca më shumë kryetarë komunash. Janë dy komuna ngjitur për shembull. Një e fiton PD-ja me 70%; kjo tjetra është rrotë më rrotë, 50% me 50% që e merr PD-ja. Atëhërë marrim ca demokratë nga kjo që është rrotë më rrotë dhe e çojmë tek kjo që ka 70% dhe njerën e merr PD-ja, tjetrën e merr PS-ja. Ne nuk pranojmë fare të merremi me këtë çështje. Le ta lemë menjanë konsensusin për këtë, por këta nuk po merren fare me këtë çështje. U përpoqë edhe ministri ta shiste si konsensus një takim ku ka shkuar ndonjë kryetar komune, që s’i ka punuar televizori atë ditë që të merrte vesh ça po bëhet dhe na e shisnin si bashkëpunim.
 
Pse duhet të jetë kompleks që nuk e bëjmë për zgjedhje? Ç’të keqe ka që të bëhet tani nëse nuk ka “salamandër”?
Duan t’i kenë në xhep që tani. Do ta përdorin hartën për zgjedhjet elektorale. Tek kjo mazhorancë nuk kam besim, sepse nuk e mban fjalën.

Ju e refuzoni reformën territoriale dhe jeni kundër saj se bëhet për qëllime elektorale. Në këto rrethana a do merrni pjesë në zgjedhjet lokale?
Kjo është për t’u diskutuar por ne nuk do të lëmë pa e kundërshtuar.
 
Me revoltë?
Jo, me protestë.
 
Po bazuka?
Jo, këta i përdorin ato kundër kryetarëve të komunave dhe fëmijëve të tyre.
 
Po tek mjetet?
Nëse kjo qeveri do ta bëjë veten të paligjshme dhe siç e ka nisiur Rama, një qeveri që nuk pyet për gjykatat, që Presidentin do ta eliminojë, institucionet do t’i fusë në xhep….pra, po shkohet drejt një shteti të kontrolluar komplet nga Rama dhe Meta, sigurisht që përgjigjen do ta marrin ashtu si meritojnë. Në 1990 ne e morrëm pushtetin babait të tij dhe mos të mendojë Rama se ne do ta lëmë atë. Por ne nuk duam të arrijmë deri aty. Me arrogancën e tij prej injoranti, kur partisë së tij i thotë se tani fitova unë dhe nuk bëj zgjedhje në parti, por dhe Hitleri kështu e ka filluar. Me zgjedhje u bë kancelar, me ligj eliminoi institucionet….Mos ndoshta edhe ky kështu e mendon duke i hequr kompetencat të tjerave dhe t’ia japë vetes. Mundet ndonjë ditë të bëjë një ligj dhe të thotë se forcë sunduese në Shqipëri është PS-ja, por pas ’90-ës këto janë ëndrra që nuk i pranon kush.
 
Kur nisin revoltat?
Çdo gjë ka kohën e vet. Siç e kanë nisur do shkojë me keq se me revoltat. Të marrin pushtetin me dhunë dh eta mbajnë me para. Kur ekonomia po rrokulliset, kur krimi shihet ku po vete, nga pistoletat tek antitanket, tek tritoli…Janë shtuar ata që kërkojnë azil në Europë, për mungesë sigurie dhe mirëqënie. Mund të thonë ndonjë ditë se i ka çuar PD-ja, i ka çuar Berisha që të na heqin vizat. Rama po kalon nga një skenë estrade në një tjetrën duke bërë shoë; njëhërë në tre ditë bën jep çertifikata dhe ligjin s’e ka kaluar në Parlament. Edhe sot kishte bërë një shoë me ca qytetarë të rastit që i thoshin “shoku Rama”, na hoqi mallin e Enverit. Ai ka shkatërruar pronat e ligjshme dhe të paligjshme. Ç’skandal edhe më i madh ishte kur Berisha në Kuvend nxori në dokument, vilën që po bënte Kokëdhima në jug.
 
Të mos flasim për këtë se ata nuk janë këtu…
Jo pot ë flasim si i ke nga shtëpia! Në tërë atë fjalim të Kokëdhimës nuk gjen as një grimë përgënjeshtrim, nuk tha që nuk është e imja.
 
Nuk mendoni se Berisha i bëri ato akuza ditën që Top Channel nxori kronikën kur një biznesmen palestinez i akuzoi të bijën për korrupsion?
Një studio avokatie i plotëson vetë kushtet e pagesës. Është absurd të thuash se një studio i ka kërkuar 3 milionë euro.
 
Po është një konflikt interesi aty…
Aty abuzohet po edhe sikur të jetë e vërtetë çdo studio e vendos vetë pagesën e shërbimit.

Ju thoni se Gjin Gjonin po e sulmojnë politikisht?
Jo, me atë po sulmohet KLD-ja, se qytetarët nuk e dinë që ai mund të ketë pasur bizinese, po qytetarët reagojnë kur dëgjojnë nga këto gjëra, 1 milionë euro etj etj.
 
Ju duket normale një gjyqtar me 2 milionë euro pasuri?

Nuk është krim në këtë vend të jesh i pasur. Por ta kesh bërë këtë me drogë siç janë gjysma e deputetëve në PS, kjo është krim. Unë nuk e mbroj atë, por di që e shoqja ka pasur biznese të suksesshme. Unë di që z.Gjoni është vënë objektiv qëtë sulmohet KLD-ja. Nuk e vë dorën ën zjarr për askënd, e kam tek spekulimi. Fenomeni është i rëndë.
 
Redaksia online
(armanda shtembari/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Afera Partizani/ SPAK kërkon kthimin e Berishës në arrest shtëpie, Apeli i GJKKO-së cakton gjyqtarin që shqyrton ankimimin

Afera Partizani/ SPAK kërkon kthimin e Berishës në arrest shtëpie, Apeli i GJKKO-së cakton gjyqtarin që shqyrton ankimimin