TIRANE - Mbledhja e parë e Konferencës së Kryetarëve solli dhe përplasjet mes grupeve parlamentare, ku “molla e sherrit” mes grupit parlamentar të djathtë dhe atij të majtë ishte pikërisht programi i qeverisë, i cili pritet që të diskutohet sot në Parlament. Debati mësohet se është zhvilluar mes dy krerëve të grupeve parlamentare, Palokës së PD dhe Ruçit të PS lidhur me kohën se kur do të diskutohej programi në seancë plenare. “Do informoj se në këtë mbledhje Ruçi këmbënguli që debati të zhvillohet që nesër, paraqitja e programit të zhvillohet që nesër.

Unë duke pasur parasysh rregulloren dhe precedentët i kërkova që Grupit PD t’i jepet një kohë më e gjatë të njihet me programin, pasi ne nuk kemi në dorë programin e qeverisë të përgatitemi e të zhvillojmë debatin më të rëndësishëm për një parlament. Që të gjithë qytetarët të njihen me qëndrimet e të gjithë palëve lidhur me atë që është momenti më i rëndësishëm. Ruçi në mënyrë më absolute dhe me arrogancë të plotë deklaroi që nuk është në tagrin e PD dhe të askujt për të vendosur se kur do të bëhet debati është në tagrin e kryetarit të parlamentit dhe Presidentit.

Ju kemi thirrur vetëm për të vendosur orarin”, tha Paloka. Duke lëshuar akuza mbi mosdorëzimin e programit të qeverisë nga ana e të majtëve, kreu i grupit parlamentar të PD ka lënë të kuptojë pas Konferencës ë kryetarëve edhe faktin e bojkotimit të seancën plenare nga ana e demokratëve. “Në Kuvendin e Shqipërisë nuk është dorëzuar asnjë program. Seanca plenare është mbyllur pas votimit për kryetar. Deri në orën 15:55 nuk ka vajtur asnjë program në kryesinë e Kuvendit që dhe po të shkojë nuk ka deputet. Unë nuk kam marrë as program dhe as letër. Ne e lamë të komunikojmë me zotin Meta.

Bisedova në telefon dhe më tha se kishte procedura që do më njihte. Ne kërkuam 1 ditë kohë. Pasi minimumi duhet të lexojmë. Nuk përjashtohet bojkoti, situata janë ndryshe, pasi ne nuk duam të biem në hudhinë e tyre, pasi nëse duan të na shtynë ata kanë gjetur mënyrën e keqe”, paralajmëroi Paloka. Ndërkohë që zyrtarë të lartë të PS sqarojnë për gazetën Shqiptarja.com se opozita e ka pasur në Kuvend programin e qeverisë që në orën 16:00.

“Deputetët e opozitës e kanë pasur që në orën 16:00 programin e qeverisë bashkë me letrën e protokolluar. Ka qenë sekretarja e PD qe i ka tërhequr programet, për të cilët edhe ka firmosur. Ndërkohë që në orën 19:00 programi është shpërndarë edhe elektronikisht për të gjitha mediat. Precedenti 2005-2009 Berisha ka prezantuar programin në seancë dhe pastaj kanë filluar diskutimet”, shprehen të majtët.

QËNDRIMI I LSI

Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili tha dje se ajo që kërkoi Meta në Konferencën e Kryetarëve ishte pikërisht fakti që nuk duhet humbur kohë për diskutimet për programin. Ai kërkoi mirëkuptim. “I gjithë ky debat është i kotë kur nuk ka pasur tension. Zoti Meta nuk kërkoi asgjë të veçantë. Kërkoi që në frymën e mirëkuptimit të mos humbasim kohë, ndaj kërkohet impenjim i deputetëve”, theksoi Vasili.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 11.09.2013
 
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)