Saktësojmë se kompania “Alb-Kalustyan” nuk ka asnjë lidhje me operacionin policor që po zhvillohej në atë zonë.
Kompania shqiptaro-amerikane “Alb-Kalustyan”, është me një përvojë të hershme në grumbullimin, përpunimin dhe eksportin e bimëve mjekësore e aromatike, dhe nuk ka asnjë përfshirje me ngjarjen e ndodhur në magazinat e një tjetër kompanie ngjitur me të.
“Alb-Kalustyan” ka dhjetëra të punësuar në të gjithë vendin, dhe angazhon me punë sezonale mijëra persona.
Report TV dëshiron të theksojë se reporterët tanë në terren që kanë mbuluar ngjarjen në asnjë rast nuk kanë përmendur kompaninë “AlbKalustyan” gjatë raportimeve të tyre.
Njoftimi i plotë i kompanisë
AlbKalustyan: Rrezikojmë kontrata deri në 3.7 milionë dollarë
Publikimi në media i pamjeve të fabrikës sonë në vend të magazinës së kompanisë së bananeve (ku u sekuestrua lëndë narkotike) po çon në anulimin e kontratave tona në SHBA
Kompania shqiptaro-amerikane “AlbKalustyan”, me një përvojë të hershme në grumbullimin, përpunimin dhe eksportin e bimëve mjekësore e aromatike, gjendet përballë nga katastrofe financiare, për shkak të informacionit të gabuar transmetuar në katër media televizive.
Lajmi i sekuestrimit të mbi 600 kilogramëve kokainë, në magazinën e kompanisë së vogël të bananeve që ndodhet pranë nesh, është shoqëruar edhe me pamje të fabrikave tona.
Kjo ka shkaktuar menjëherë reagimin e klientëve tanë në tregun amerikan, të cilët kanë pezulluar blerjet e këtij viti, duke i shkaktuar aktualisht kompanisë një dëm prej 3.7 milionë dollarë.
Kompania bën të ditur, se pamjet e fabrikave tona, ashtu siç duket edhe nga kronikat televizive të transmetuara në 4 media, nuk kanë të bëjnë aspak me magazinën e kompanisë së bananeve, të cilës mediat i referohen me zë, si vendi ku u sekuestrua lënda narkotike.
Në fotot e kronikave, ku shkruhet për një magazinë bananesh ku u kap kokaina, në planin kryesor dalin të dy fabrikat tona (fabrika e esencave me 2 kate dhe fabrika e përpunimit të bimëve me 4 kate). Pra, komenti me zë dhe titra nuk përputhet me figurën. Aty nuk del fare ose del një sekuencë kalimthi, magazina e bananave.
Kjo ka detyruar drejtuesit tanë të kompanisë të vihen në lëvizje për të sqaruar fillimisht klientët. Xhevit Hysenaj, ka shkuar në SHBA, për t’u spjeguar nga afër klientëve pozicionin e pastër të kompanisë. Ndërkohë, ortaku amerikan po bën një letër sqaruese për Ambasadën Amerikane në Tiranë.
Kërkojmë të sqarojmë pozicionin tonë, si një sipërmarrje me përvojë e të përkushtuar në rritjen e vlerës se prodhimeve tona të eksportit. Prej vitesh, kompania nderon në tregjet më të largëta emrin e Shqipërisë, me bimët dhe esencat vajore, nën emrin “Made in Albania”.
U kërkojmë mediave në fjalë të sqarojnë publikun, se pamjet e transmetuara të fabrikës sonë ishin të gabuara.
“AlbKalustyan” ka dhjetëra të punësuar në të gjithë vendin, dhe angazhon me punë sezonale mijëra persona. Ndaj, dëmtimi i kësaj kompanie, ka pasoja edhe për tregun e punës.
Për kontributin në ekonomi dhe shembullin e mirë të sipërmarrjes, vitin e kaluar “AlbKalustyan” u vlerësua me çmimin “Bleta e Artë”.
s.k/Shqiptarja.com











