TIRANE - Deputeti i PS dhe njëherësh drejtuesi i shtëpisë botuese "TOENA", në një inervistë për Shqiptarja.com ngre problematikat e hasura në panairin e librit, ku më kryesorja është ajo e çmimit të lartë të qerave të stendave. Ai propozon që qeveria t`i japë falas, kjo në shërbim të lexuesve.

U bënë shumë herë që ju merrni pjesë në Panairin e Librit që zhvillohet në vendin tonë me shtëpinë tuaj botuese. Çfarë ndryshimesh vini re këtë vit në këtë organizim?

Në fillim më lejo të shpreh vlerësimin tim për një punë të madhe që është bërë nga organizatorët e këtij panairi. E para për të ruajtur traditën e mirë të përmirësimit të përfaqësimit të librit shqip. Unë kam qenë për 11 vite pjesë e organizimeve të panaireve dhe e di sesa e vështirë është që të menaxhosh botuesit, shkrimtarët, por dhe një masë të madhe lexuesish.

Kanë kaluar dy ditë sot (dje) dhe ajo që vihet re, është që ka vërtet një numër të madh lexuesish nga të gjitha moshat kategoritë e ndryshme dhe kjo është në ruajtje të kësaj tradite dhe forcimit të saj. Fakti që këta njerëz shpesh sillen rreth stendave të shtëpive botuese të librave dhe nuk e kanë mundësinë që t`i bëjnë të tyre këta libra duke marrë parasysh që të gjitha stendat i kanë ulur çmimet, tregon një gjendje jashtëzakonisht të rëndë ekonomike, që po shfaqet edhe këtu, por dhe në të gjithë sketorët e ndryshëm që ka Shqipëria sidomos kur bëhet fjalë për blerjen e produkteve jetësore. Si një konstatim imi, ky panair po zhvillohet me më pak zhurmë nga ai i shkuari, ku pati të themi një zhurmë artificiale të nxitur nga protagonizmi i disa shkrimtarëve apo edhe politikanëve, njerëzve publik.

Si ka qenë pjesëmarrja e politikanëve në këtë panair, pasi nga një vështrim i përgjithshëm deri tani nuk janë parë shumë fytyra politikanësh të blejnë libra?

Ju duhet të dini që në raport të madh me numrin e lexuesve, por dhe pjesëmarrësve në këtë panair, që të paktën janë 50 mijë persona, politikanët janë "një pikë ujë". Ky panair bëhet për t`iu ofruar lexuesit të gjerë, ndaj dhe organizohet. Gjithësesi dua të them se aq pak sa kam mundur të jem prezentë, kam parë kolegë të mi politikanë, por dhe njerëz që punojnë në administratën shtetërore që kanë qenë të interesuar si vizitorë dhe si blerës me familjet e tyre duke u bërë pjesë e këtij panairi. Ajo që ëshrë e rëndësishme është se çfarë ndikimi kanë këta njerëz të politikës që këto panaire të bëhen sa më të mirë, të kenë një mbështetje instucionale në mënyrë që njerëzit ta ndiejnë dhe dorën e shtetit në këtë organizim të madh.

Disa shtëpi botuese ngrenë shqetësim çmimet e larta të qerave të stendave. Si qëndron për ju ky problem?

Po bëhet një zhurmë e madhe lidhur me çmimet e larta të stendave. Kjo është e vërtetë, pasi këto dy vitet e fundit çmimet për stendat janë rritur. Unë e di dhe koston sesi funskionon dhe e di që është një panair me përmasa të mëdha që sigurisht ka një kosto të lartë. Në këto kushte shteti për këto panaire, do të sygjeroja që të paktën këto mjedise të panairit duhet të jepeshin falas. Ky do të ishte jo vetëm një kontribut i shtetit, por dhe një detyrim instucional për atë që në qoftë se nuk ka mundësi për ta financuar për shkak të gjendjes ekonomike që kalon vendi, ka shumë mundësi që të mos i vendosë një haraç librit. Do të përmendja një taksë të frikshme prej 80 a 90 milionë lekë të vjetra vetëm për qeranë te Pallati i Kongresve. Në emër të kulturës dhe jo organizatorëve apo botuesve shqiptarë kjo mund të ishte dhe falas nga ana e shtetit.

(ad.ti/shqiptarja.com)