Shiu nuk doli të jetë pengesë, që vallja të hedhet pa pushim. Në shikim të parë kjo atmosferë e krijuar të lë përshtypjen se je në ndonjë aheng, por tingujt e muzikës turbo folk të interpretuara nga grupi muzikor NRG Band, veç sa po shtonin interesimin e të pranishmëve që kishin dal për të qenë pjesë e panairit të përgjithshëm ndërkombëtar “Prishtina 2014″, i cili është hapur të mërkurën.
Kjo për pjesëmarrësit e 143 kompanive pati kundër efekt, pasi që të gjithë vizitorët u mblodhën rreth grupit muzikor ku përforcohej muzika dhe në rend të dytë mbeten produktet të cilat ishin ekspozuar nga kompanitë kosovare dhe të rajonit. Ky panair po organizohet nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) e mbështetur nga Qeveria e Kosovës.
Në të po marrin pjesë 143 kompani, 90 prej tyre kosovare, ndërsa të tjerat nga vendet e rajonit, si Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi. Qeveria e Kosovës për këtë panair ka investuar 2 milionë euro, shkruan "Zëri.Info".