Panariti: Bujqësia, sektori me rritjen
më të lartë në ekonomi për 2015-ën

Panariti: Bujqësia, sektori me rritjen<br />më të lartë në ekonomi për 2015-ën
Ministrit i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, u shpreh  të enjten, në një intervistë dhënë për ATSH-në, se bujqësia dëshmoi se është sektori me rritjen më të lartë në ekonominë e vendit në vitin 2015.

“Duke iu referuar të dhënave të fundit të 6-mujorit të parë të këtij viti, prodhim bujqësor me vlerë 4,4 miliard lekë në krahasim me 2,9 miliard lekë në të njëjtën periudhë me një vit më parë”, tha kreu i Bujqësisë, ndërsa evidentoi se rritjen pozitive e kryeson eksporti i perimeve, me rreth 2,1 miliard lekë të ardhura, kundrejt 946 milionë lekë që shënonte të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Sipas ministrit Panariti,  arritjet janë rezultat i materializimit të politikave mbështetëse të këtij sektori të bazuara tek krijimi dhe konsolidimi i zinxhirit të vlerave, rritja e cilësisë së prodhimit dhe përmirësimi i ndjeshëm i standardeve të përpunimit dhe të tregtimit.

Ministri Panariti, konfirmoi se zbatimi me shumë sukses i shpërndarjes së naftës pa taksë qarkullimi dhe karboni për anijet e peshkimit duke e ulur çmimin e saj me rreth 70 lekë për litër, ka rritur me rreth 35% sipërfaqet me serra  dhe sasinë e peshkut të peshkuar dhe të tregtuar. Ministri Panariti, konfirmon se sektori i perimeve dhe frutave, pasuar nga bimët aromatike dhe mjekësore, prodhimi i vezëve etj, konsiderohen si sektorët me rritjen më spektakolare këtë vit
 
Intervista e plotë:

Ministër Panariti, jemi në muajin shtator dhe besoj se është një kohë e mjaftueshme për të bërë një vlerësim të sektorit bujqësor që nga fillimi i këtij viti, si vlerësohet ecuria e bujqësisë gjatë kësaj periudhe, po themi në 6-mujorin e parë të këtij viti, a kemi një bilanc?
Bujqësia dëshmoi se është sektori me rritjen më të lartë në ekonominë e vendit në vitin 2015. Kjo rritje është rezultat i materializimit të politikave mbështetëse së këtij sektori të bazuara tek krijimi dhe konsolidimi i zinxhirit të vlerave, rritja e cilësisë së prodhimit dhe përmirësimi i ndjeshëm i standardeve të përpunimit dhe të tregtimit. Këtë vit bujqësia konsolidoi veçanërisht profilin e saj prodhues dhe eksportues.

Sipas të dhënave të fundit të 6-mujorit të parë të këtij viti, u regjistrua një prodhim bujqësor me vlerë 4,4 miliard lekë në krahasim me 2,9 miliard lekë në të njëjtën periudhë me një vit më parë. Veçanërisht një hov të panjohur më parë, ka pasur prodhimi i perimeve. Deri në fund të 6-mujorit të këtij viti janë eksportuar 2,1 miliard lekë perime nga 946 milionë me të njëjtën periudhë të një viti më parë, pra e përkthyer në vlerë monetare, më shumë se dyfish të ardhura për fermerët dhe ekonominë kombëtare.
E shprehur si vëllim prodhimi, këtë fund 6-mujori, kemi 44000 ton perime të eksportuara në krahasim me 27000 ton të një viti më parë. Kemi rreth 40% më shumë prodhim të drithërave në krahasim me një vit më parë dhe po kështu rritje të prodhimit të vezëve dhe qumështit. Prodhimi i rrushit dhe cilësia e tij, këtë vit ka qenë i jashtëzakonshëm, dhe në nivele shumë të kënaqshme paraqitet edhe prodhimi i ullirit dhe agrumet. Si rrjedhojë e ofertës së bollshme dhe të shtuar të prodhimeve bujqësore në tregjet tona, konsumatorit i janë ofruar çmime rreth dy herë më të lira se një vit më parë për të njëjtën sasi produkti në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
 Si rrjedhojë e një kontrolli më rigoroz mbi cilësinë e farave dhe të fidanëve, por edhe të inputeve bujqësore të përdorura në procesin e prodhimit, këtë vit është rritur ndjeshëm cilësia e perimeve dhe frutave tona. Në sondazhet e kryera, konsumatorët vendas dhe sidomos ata të huaj konfirmojnë cilësinë dhe shijen unikale të perimeve dhe frutave tona, dhe asnjë reklamim nuk ka pasur nga vendet importuese lidhur me elementët e cilësisë dhe të sigurisë të prodhimeve tona bujqësore.

Folët më sipër për një zhvillim të bujqësisë për këtë periudhë të parë të vitit, cilat kanë qenë politikat dhe mbështetjet që kanë nxitur zhvillimin?
 
 Në dallim nga më parë, mbështetja për bujqësinë është e drejtuar në krijimin dhe konsolidimin e zinxhirit të vlerave.  Për të qenë sa më të qartë, është mbështetur krijimi i qendrave të mëdha të grumbullimit, të ruajtjes së prodhimeve bujqësore, rritja e kapaciteteve frigoriferike dhe përdorimi i teknologjive të reja në prodhim.
 Është mbështetur dhe rritur me rreth 35% sipërfaqja me serra dhe po kështu sipërfaqet me fidanishte dhe pemishte. Për rrjedhoje, këtë vit u dyfishua edhe oferta prodhuese.
 Ashtu sikundër ishte premtuar, u zbatua me shumë sukses shpërndarja e naftës pa taksë qarkullimi dhe karboni për anijet e peshkimit duke e ulur çmimin e saj me rreth 70 lekë për litër. Si rrjedhojë, është rritur ndjeshëm sasia e peshkut të peshkuar dhe të tregtuar. Fondet e alokuara për bujqësinë, nuk janë shpenzuar si përkrahje sociale për fermerët, por janë përdorur vetëm për ngritje dhe forcim të kapaciteteve të prodhimit, ruajtjes dhe të tregtimit të produkteve bujqësore.
 
A mund të renditim sektorët që janë avangardë në bujqësi dhe agroindustri dhe çfarë do të përmirësohet në të ardhmen për progresin e bujqësisë?
 

Padyshim sektori i perimeve dhe i frutave, i pasuar nga bimët aromatike dhe mjekësore mund të konsiderohen sektorët me rritjen më spektakolare këtë vit. Por rritje të ndjeshme kemi pasur edhe në prodhimin e vezëve dhe pritet që prodhimi  i rrushit dhe i verës këtë vit të regjistrojë shifrat rekord.
 Ajo që ne synojmë në të ardhmen, është diversifikimi i prodhimit bujqësor në përputhje me avantazhet tona konkurruese dhe krahasuese. Kemi filluar dhe duhet ende të hapemi më shumë në kultivimin e kulturave të tjera jo tradicionale si kivi, luleshtrydhe, boronicë, avokado, asparagus, shafran, bimë të tjera aromatike, erëza etj, gjithashtu duhet të prodhojmë më shumë fasule pllaqi, gogozhare etj./ATSH/


Redaksia Online
( b.h/Shqiptarja.com )
 

  • Sondazhi i ditës:

    A respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Salianji interpelancë me Ballën: Policia ‘gjuetare’ e kriminelëve për llogari të bandave rivale! Ministri: Lufta kundër krimit prioritet, vetëpastrim në radhët e policisë

Salianji interpelancë me Ballën: Policia ‘gjuetare’ e kriminelëve për llogari të bandave rivale! Ministri: Lufta kundër krimit prioritet, vetëpastrim në radhët e policisë