TIRANE- Vaji i ullirit një produkt i rëndësishëm për të gjithë, në Shqipëri prodhohet me një cilësi të lartë. Ky është rasti i një fabrike vaji e cili ka fituar disa çmime ndërkombëtare, si dhe vulën e cilësisë që garanton standardet e BE-së të produktit. Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti dhe ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha kanë vizituar këtë fabrikë në kuadër të promovimit të bizneseve që bën Ministria e Bujqësisë.
 
Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, vlerësoi cilësinë e vajit të ullirit, duke e cilësuar si një vitrinë të standardeve evropiane.
 
“Mbart mbiemrin Shkalla, që është edhe shkalla jonë drejt Evropës, për arsye se këtu ne kemi një sipërmarrje, e cila plotëson rigorozisht standardet më të larta të cilësisë dhe sigurisë së ushqimit. Është vërtet një vitrinë e standardeve më të larta, duke filluar nga procesi i grumbullimit të ullirit, i pastrimit, i klasifikimit, i teknologjisë së përpunimit dhe i prodhimit të një vaji elitar”, u shpreh ministri Panariti.
 
Ministrja Gjosha, vlerësoi suksesin e një sipërmarrëseje grua, duke theksuar se ky model duhet të ndiqet nga vajzat dhe gratë në Shqipëri, por edhe nga të gjithë sipërmarrësit të cilët duhet të prodhojnë produkte me standarde si një kusht për të hyrë në BE.
 
“Standardi i produkteve shqiptare, do të jetë shumë shpejt një nga kushtet thelbësore për Shqipërinë, për hapjen e negociatave, ku mund t’ju them me bindje të plotë se bujqësia do të zërë 65%, të negociatave që do të ketë Shqipëria me BE-në, pra produktet Shqiptare do të vendosen përpara një konkurrueshmërie shumë të madhe me Bashkimin Evropian”, tha Ministrja Gjosha.
 
Ministrja, theksoi se ajo çka i duhet sot Shqipërisë nuk janë vetëm aparaturat cilësore, por edhe kapacitetet njerëzore që i dedikohen punës.
 
Ministria e Bujqësisë vazhdon të mbështesë dhe të krijojë lehtësira për të gjithë sipërmarrësit fermerë të cilët e zhvillojnë aktivitetin e tyre në përputhje me ligjin.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)