STAMBOLL, Turqi - Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu garantoi se do të hapen shkolla shqipe dhe qendra të shumta kulturore në Turqi.

Deklarata e tij erdhi gjatë një takimi që ai pati me homologun e tij shqiptar, Edmond Panariti, në kuadër të konferencës dy ditore në Stamboll me temë “Ballkani nga Lufta në Paqe”.

“Do mbështesim krijimin e qendrave të arsimit shqip dhe kulturës shqiptare në Turqi. Faktori shqiptar ka qenë kontribut në stabilitetin rajonal dhe të dy popujt e kanë mbështetur gjithnjë njëri- tjetrin”, -u shpreh Davutoglu.

Ministri i Jashtëm turk Davutoglu theksoi po ashtu se do të zgjerojë praninë turke me investime në Shqipëri.

Nga ana tjetër, Panariti ka vlerësuar kontributin e Turqisë në mbështetjen që i ka dhënë Kosovës, si dhe për ndihmën ekonomike në Shqipëri.

“Falenderoj Turqinë për njohjen dhe mbështetjen që i ka dhënë Kosovës dhe për mbështetjen që na ka dhënë në drejtim të zhvillimit. Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer në fushën e arsimit, ndërsa vitet e fundit janë shumëfishuar shkëmbimet tregtare mes dy vende”, theksoi ministri i Jashtëm.

Panariti kërkoi të zgjerohen edhe më bashkëpunimet mes dy vendeve jo vetëm në fushën ekonomike, por edhe në arsim, kulturë e të tjerë për përforcimin e marrëdhënieve mes palëve.

(su.fu/Shqiptarja.com)