Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti zhvilloi një takim me biznesmenë vendas
TIRANË, 3 Mars /ATSH-Gjergji Mima/ -Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti zhvilloi një takim me biznesmenë vendas, përfaqësues të Dhomës së Tregëtisë, të cilët u solidarizuan dhe u erdhën në ndihmë banorëve të dëmtuar nga përmbytjet e ndodhura në muajin shkurt.
Ministri Panariti shprehu në emrin e tij si dhe në emër të dikasterit që drejton falenderimin për solidaritetin e treguar nga bizneset, për të përballuar situatën e jashtëzonshme që u krijua nga përmbytjet.
"Ne e kemi ndjerë shpeshherë solidaritetin e Dhomës së Tregtisë dhe të gjithë përfaqësuesve të saj, Dëshiroj që të falenderoj me këtë rast Kryetarin e Dhomës së Tregtisë , Nikolin Jakaj dhe të gjithë bizneset të cilat kanë qenë në krahun tonë dhe na kanë ndihmuar për të përballuar këtë situatë të jashtëzakonshme. Edhe gjesti më fundit që është ndihma shumë domethëse që Dhoma e Tregtisë dhe bizneset mbështetëse që kanë dhënë 600 krerë dele të racës , të një prodhimtarie të lartë , të cilët janë vënë në dispozicion të gjithë blegtorëve dhe fermerëve të dëmtuar , për të rivendosur kapacitetet e dëmtuara , për të plotësuar tufat e tyre të dëmtuara , për t'u futur në ciklin e prodhimit", tha Ministri Panariti.
Ndërsa Kryetari i Dhomës së Tregëtisë, Nikolin Jakaj vlerësoi angazhimin e përfaqësuesve të kësaj dhome, për tju gjendur pranë fermerëve të dëmtuar nga përmbytjet në momentet e vështira të përmbytjeve.
"Do e vlerësoja kontributin sepse është një kontribut I dhënë me dashuri , sepse sot nuk e thjeshtë të japësh dicka, por është e rëndësishme ta japësh në vendin e duhur , në kohën e duhur dhe me shumë dashuri. Është një zë i konsiderueshëm ajo që është dhënë nga bilancet tuaja, dhe unë ju falenderoj shumë për këtë", tha Jakaj.
/f,n/







