TIRANË, 4 Korrik/ATSH/-Në vijim të konsultimeve me grupet e interesit për diskutimin e Paketës së Bujqësisë, Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave organizoi një takim konsultativ me përfaqësues të industrisë dhe biznesit për diskutimin e një pjesë me rëndësi të kësaj pakete, siç janë propozimet për lehtësimin e barrës fiskale.
Në fjalën e tij, Ministri Panariti përmendi dy vendime shumë të rëndësishëm dhe të fundit, në kuadër të kësaj reforme, siç është vendimi i për TVSH-së për karburantet e peshkimit si dhe vendimi për shtyrjen e pagesës për kafshët dhe shpendët për majmëri, si një ndihmë direkte që shkon për operatorët e kësaj fushe.
"Gjithë kjo paketë masash siguron pikërisht që krahas mekanizmave të tjerë që ne kemi vendosur tashmë në lojë siç janë financimet e drejtpërdrejta nëpërmjet skemave të mbështetjes të sektorëve prioritar të bujqësisë, paralelisht me këto skema, me këto pagesa që shkojnë drejtpërdrejtë për nxitjen e prodhimit dhe natyrisht edhe për hallkat e tjera të zinxhirit të përpunimit , ambalazhimit dhe eksportit të tij, përveç pagesave të drejtpërdrejta ne dalim paralelisht edhe me një paketë integrale lehtësirash të karakterit fiskal", tha ministri.
Ai shtoi se lehtësirat janë të karakterit procedural, institucional dhe kjo paketë është paketa më integrale që ka parë ndonjëherë bujqësia shqiptare dhe që kontribuon për rrjedhojë në nxitjen dhe në stimulimin e mëtejshëm të prodhimit dhe të krijimit të ardhurave suplementare nga bizneset bujqësore dhe fermerët"./a.g/