TIRANË­- Një paketë e re me të gjitha standartete evropiane për importin e grurit do të hyjë në fuqi ka bërë me dije ministri Panariti duke shtuar se vetëm gruri me cilësi do të shkojë në fabrikat e përpunimit. Për herë të parë pas disa vitesh Shqipëria ka shënuar rritje të ndjeshme të prodhimit të grurit cilësor. Sipas Ministrit të bujqësisë Edmond Panariti, kjo është një shenjë e mirë pasi mbiprodhimi do të ndikojë ndjeshëm në uljen e importit e njëkohësisht edhe të çmimit të grurit në treg. 
 
Por një nga shqetësimet e importuesve të grurit ishte edhe moszbatimi i paketës integralë të miellit, shqetësim i cili u ngrit nga Adi Haxhiymeri, përfaqësuesi i shoqatës së prodhimit të miellit. Në përgjigje të kësaj Ministri Panariti tha se qeveria ka marrë të gjitha masat që në fabrikat e përpunimit të kalojë vetëm gruri i cili plotëson standardet e cilësisë.

Sipas ministrit Panariti ky ka qenë një vit i mbarë për bujqësinë pasi rritje të konsiderueshme të prodhimit kanë shënuar edhe perimet e kryesisht domatet për tregtimin e të cilave do të lidhet edhe një marrëveshje më Maqedoninë.

Redaksia online
(S.M/shqiptarja.com)