Gjatë tre ditëve të fundit është vënë re një rritje e lehtë e numrit të udhëtarëve në portin e Vlorës. Shefi i sektorit të përpunimit në port, Festim Skëndaj shprehet se pavarësisht fluksit në prag të Krishtlindjeve, numri i udhëtareve është 50 për qind më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
“Fluksi para festave të Krishtlindjeve ka pasur një rritje në mbërritje. Këto 2-3 ditë ka patur rreth 500 pasagjerë, sot 116 , ndërsa pardje ishin 351 që ka qenë dhe dita me fluksin më të madh në ardhje. Nuk krahasohet viti, pasi pandemia vazhdon të jetë në ritme të larta. Ne jemi 50% në krahasim me vitin e kaluar si të ardhur. Edhe këtu nuk ka ndonjë njoftim në port se do të bllokohet në mënyrë zyrtare. Në qoftë në Itali do të bllokohet lëvizja mes rajonit siç është parashikuar, edhe autobusët ose pasagjerët po të nisen nga Durrësi apo nga Vlora nuk kanë se ku të shkojnë", tha Skëndaj.
Emigrantët që mbërritën në portin e Vlorës shprehen se janë kthyer për të festuar pranë familjeve, ndërsa kanë paraqitur testin negativ për Covid-19 në portin e Brindizit.
"Ndenjëm dy javë tek fëmijët, dhe u kthyem. S’kishim ndonjë problem atje ku ishim ne. Na matën temperaturën”, shprehet një emigrant.
“Si gjithmonë na kontrolluan për maskat, distancën. Kemi ardhur për festat”, shprehet një emigrant tjetër.
Për shkak të pandemisë, shumë rajone italiane janë në bllokim të pjesshëm dhe ndalohet lëvizja ndërmjet rajoneve deri më 6 janar. Sa i përket lëvizjes me tragete ndërmjet dy shteteve nuk ka asnjë vendim për mbyllje.