Pandemia i plaku dhe i largoi më shumë shqiptarët

Pandemia i plaku dhe i largoi më shumë shqiptarët

Foto ilustruese

Klodi ka disa vite e martuar, por heziton të bëhet nënë. Ajo gjithmonë ka ëndërruar të ketë një familje të vetën dhe fëmijë, megjithatë nuk guxon ende të sjellë në jetë një fëmijë.

E diplomuar në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ajo punonte në një “Call Center”, por tani të njëjtën punë e bënë nga shtëpia dhe ka pasur një ulje të ndjeshme të rrogës.

“Pandemia ka ndikuar në rënie të të ardhurave. Ne kemi vazhduar të punojmë, por megjithatë unë jam paguar më pak gjatë kësaj periudhe.” thotë Klodi, duke shtuar se për të, ashtu si dhe për shumë shoqe të saj është tepër e vështirë jetesa në kushte të tilla pasigurie.

“Unë dua të kem familjen time, fëmijët e mi, por nuk kam asnjë lloj sigurie financiare. Unë dhe im shoq jetojmë në shtëpi me qira, me rroga të ulëta dhe nëse sjell në jetë një fëmijë nuk besoj se do të arrij ta rris ashtu siç dua”,- shprehet ajo, ndërsa shton se jo pak herë ka menduar të largohet nga Shqipëria për një jetë më të mirë.

Ikja nga Shqipëria , 46 % e emigrantëve janë të rinj

Dhurata është nënë e tre fëmijëve. Përpara tre vitesh ajo u largua drejt Gjermanisë së bashku me bashkëshortin e saj.

Në Shqipëri nuk po arrinte të gjente punën që dëshironte dhe të krijonte kushtet e duhura për familjen e saj.

“Më ka pëlqyer gjithmonë të kem një familje të madhe, me të paktën tre fëmijë. Kur vendosëm të largoheshim ishim prindër vetëm të një vajze, e cila në atë periudhë ishte tre vjeç. Dëshiroja shumë të lindja edhe të tjerë fëmijë, por e shikoja gati të pamundur, ndërkohë që nuk arrinim t’i plotësonim gjithë nevojat në familje, edhe me një fëmijë të vetëm. Kur u larguam për në Gjermani, gjërat u thjeshtuan shumë. Tani jetojmë në Bon dhe vajza gjatë kësaj periudhe është bërë edhe me një vëlla dhe një motër.”

Për shumë çifte, Gjermania shihet si vendi ideal për ndërtimin e një familjeje dhe lindjen e më tepër fëmijëve, për shkak edhe të mbështetjes, që shteti gjerman

Raporti vjetor i Rrjetit Kombëtar për të Rinjtë në Shqipëri, mbi situatën në të cilën ndodhen të rinjtë në vend, sjell fakte dhe shifra shqetësuese përsa i përket të ardhmes së tyre. 

Gjatë 10 viteve të fundit janë larguar nga Shqipëria mbi 140,000 të rinj e të reja.

Sipas këtij raporti të tretë kombëtar “Rinia në Shqipëri 2020” në 10 vitet e fundit nga Shqipëria janë larguar 140.390 të rinj dhe të reja. Mbi 51% e rinisë në vend vuan papunësinë, ndërkohë që gjatë periudhës së pandemisë COVID-19, 63% e të rinjve nuk kishin aspak besim te masat e qeverisë për përballimin e vështirësive të shumta edhe ato financiare.

Përfaqësuesit e ANYN, nënvizuan se besimi i të rinjve ndaj partive politike ka pësuar një rënie shumë të madhe, ndërsa vetë të rinjtë po e quajnë sistemin politik në vend, si një prej shkaqeve kryesore të emigrimit.

Raporti I tretë kombëtar “Rinia në Shqipëri 2020” sjell të dhëna shqetësuese edhe për papunësinë, ikjes së rinisë,krizës së besimit, kushteve të varfëra ekonomike dhe rritjes së dhunës përgjatë pandemisë.

Rreth  49% e të rinjve deklarojnë se ata ose një familjar i tyre, humbën vendin e punës gjatë pandemisë. 88% e të rinjve deklarojnë se vajzat dhe gratë ishin viktimat kryesore të dhunës, gjatë pandemisë ndërsa 63 % e të rinjve konfirmojnë dhunën e shtuar në familje gjatë po të njëjtës periudhë.  

92% e të rinjve deklarojnë se nuk kanë përfituar asnjë lloj ndihme nga qeveria gjatë mbylljes së detyruar. Papunësia e të rinjve vazhdon të mbetet një ndër sfidat kryesore të të rinjve: thuajse 51% e të rinjve nuk janë as në marrëdhënie pune dhe as në ndjekje të një kursi apo trainimi professional.

Të diplomuarit, vuajnë papunësinë më të madhe në Shqipëri, ku respektivisht sipas të dhënave të INSTAT, gjatë vitit 2019, rreth 14,4 % e të rinjve me arsim të mesëm dhe 12,3 % me arsim të lartë vujanë papunësinë.

Lindshmëria, më e ulëta në Europë

Sipas një analize të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë ku analizohen politikat gjinore në Shqipëri, në vendin tonë lindshmëria ka rënë dukshëm nën pikën e zëvendësimit 1.37 fëmijë për grua (2018), që është më e ulët se ajo në vendet europiane (1.55 fëmijë për grua në 2018).

“Analiza e Politikave të përgjegjshme Gjinore në Shqipëri” nga UNFPA e prezantuar këtë javë rë në bashkëpunim me nënkomisionin parlamentar për Barazinë Gjinore dhe Parandalimin e Dhunës ndaj Grave, jep një pamje të kuadrit ligjor dhe kontekstin social dhe ekonomik të këtyre politikave në Shqipëri.

 “Kuadri ligjor në Shqipëri ekziston dhe parashikon disa klauzola të mira që mbështesin lejen prindërore, përfshirë lejen e lindjes për nënën dhe babain, lejen e përkujdesjes ndaj fëmijës, shpërblimin për lindjen e fëmijës, njohjen e kohës për përkujdesje dhe kushte pune fleksibël”, theksohet mes të tjerash në analizë.

Megjithatë, sipas aktorëve që janë marrë me analizën, duhen hartuar dhe rënë dakord për më shumë parashikime ligjore në lidhje me përfitimet financiare, përkujdesjen për fëmijët dhe aksesin në kujdesin ndaj fëmijëve, “të cilat do të ndihmonin shumë prindërit që të punojnë dhe të përpiqen midis krijimit të një jete më të mirë për familjen dhe pasjes së një numri më të madh fëmijësh në një familje”.

“Këto rregullime ligjore dhe mbështetëse do të ndikonin shumë në rritjen e lindshmërisë në nivelin e dëshiruar dhe atë ideal, ndërkohë që ky nivel po bie shumë nën pikën e zëvendësimit 1.37 fëmijë për grua, që është më e ulët se ajo në vendet europiane (1.55 fëmijë për grua).”

Sipas të dhënave të INSTAT, numri i lindjeve në vend nëse gjatë vitit 2018 është 28.934 mijë, , në 2019, ky numër ka qenë 28.561.

Indeksi i lindshmërisë sipas të dhënave të fundit është nën normën e zëvendësimit prej 2,1 fëmijë për grua, që do të thotë se një çift nuk arrin të zëvendësojë veten. Lindshmëria ka rënë për grupmoshat 20-24 dhe 25-29, ndërsa për grup-moshat më të vjetra ka pësuar rritje të lehtë. Në vitin 2018, mosha mesatare në lindje ishte 28,6 vjeç.

Koeficientët specifikë të lindshmërisë sipas gjinisë për vitin 2018, tregojnë dhe mbështesin faktin se burrat e fillojnë aktivitetin e të paturit fëmijë relativisht më vonë se gratë, afërsisht 5 vite më vonë, ndërkohë që normat e lindshmërisë pas të 30-ave, i kanë më të larta se gratë.

“Koeficienti bruto i riprodhimit (KBR) është një tregues i mirë për matjen e rritjes së brezave të ardhshëm. Ai mat normën me të cilën gratë zëvendësojnë veten e tyre gjatë viteve të jetës riprodhuese. Mënyra e llogaritjes së KBR-së është e njëjtë me atë të ISF-së, por në këtë rast merren parasysh vetëm lindjet femra. Në vitin 2018, KBR është 0,66: do të thotë se gratë në Shqipëri janë rreth 30 % larg zëvendësimit të vetvetes.

Shpërndarja e shërbimeve të kujdesit , ndikim edhe pandemia

Në analizën e UNFPA theksohet se angazhimi si prind është i ndryshëm për gratë dhe ndryshe për burrat, në lidhje me punën e paguar dhe atë të papaguar.

Gratë shpenzojnë shtatë herë më shumë kohë se burrat në punë të papaguar në shtëpi, duke bërë punët e shtëpisë dhe duke u kujdesur për fëmijët.

“Shpërndarja e pabarabartë e shërbimeve të kujdesit (51 përqind përkundrejt 25 përqind) dhe punëve të shtëpisë (88 përqind përkundrejt 16 përqind) midis grave dhe burrave i mban gratë jashtë tregut të punës dhe kufizon mundësitë e tyre për karrierë.”

32 përqind e grave të moshës 15-29 vjeç nuk janë as në shkollë, as në punë, për shkak të përgjegjësive familjare.

Në analizë theksohet edhe fakti se pandemia COVID 19 nuk i ka bërë gjërat më të lehta, por, përkundrazi, puna nga shtëpia e ka rritur barrën e grave me shtimin e përgjegjësive për përkujdesje dhe punë shtëpie./ Gazeta 'SI'

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Miku: 28/12/2020 11:54

    Rrihet me ne Shqiperine e pushtuar nga deputete qe jane tutor prostitutash dhe vrases.... Shyqyr zotit qe jemi jashte dhe dashte zoti ua befte mbare shqiptarve qe duan te largohen qe aty

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin