Delhi - Sulmet amerikane me dronë (avionë pa pilot) do të vazhdojnë në Pakistan. Sekretari amerikan i mbrojtjes Leon Panetta gjatë një vizite që po kryen në Indi ka mbrojtur sot politikën e sulmeve nga ajri në territore të shteteve sovrane me qëllim eleminimin e luftëtarëve rebelë të grupeve antiamerikane.

I pyetur nëse sulmet me dronë krijojnë problem me sovranitetin e Pakistanit, Panetta tha se “kjo ka të bëjë gjithashtu edhe me sovranitetin tonë”. Panetta tha se sulmet nga ajri nuk po mbrojnë vetëm SHBA-të, por edhe Pakistanin, duke qenë se popullata e këtij vendi është gjithashtu viktimë e sulmeve të rebelëve.

Dje u bë publik lajmi se një nga krerët e Al Qaeda, ndoshta numri dy i saj, Abu Yahya al-Libi u vra gjatë një sulmi në Pakistan të hënën, së bashku me 15 luftëtarë.

Pakistani ndaloi furnizimin e trupave të NATO-s në Afganistan nga territori i tij kur një sulm me dron vrau gabimisht 24 ushtarë pakistanezë. Jo më larg se dje, ministria e jashtme pakistaneze u dërgoi një notë proteste diplomatëve amerikanë në lidhje me shtimin e sulmeve me dronë, tetë të tillë në dy javët e fundit. Sulme të tilla kanë shkaktuar shpesh herë viktima mes civilëve.

(ep/shqiptarja.com)