Kombëtarja shqiptare e futbollit ka prekur fundin. Përkundër asaj që pritej, Skocia ka njollosur historinë e kuqezinjvë falë fitores poshtëruese 0-4 në “Loro Boriçi”, në ndeshjen e fundit në grup të Ligës së Kombeve. Një humbje me shifra të tilla në Shqipëri nuk ndodhte prej 44 vitesh, atëherë kur Republika Federale e Gjermanisë na mposhte 1-4. 

Sa i takon ndeshjes kuqezinjtë praktikisht nuk zbritën asnjëherë në fushë. Britanikët e zhbllokuan rezultatin që në minutën e 14-t me Fraser, ndërsa më pas për t’iua bërë më të lehtë mendoi kapiteni ynë Mërgim Mavraj, duke bërë një veprim të papërgjeshëm që la Kombëtaren me 10 futbollistë. Në fundin e pjesës së parë do të vinte goli i dytë, ndërsa në fraksionin e dytë të lojës reagim nuk pati dhe skocezët realizuan dy herë të tjera, duke vulosur një paraqitje skëterr të Kombëtares nën drejtimin e Panucci-t.

Për italianin nuk munguan koret e tifozëve, të cilët si gjatë ndeshjes ashtu edhe në përfundim të saj I kërkuan të largohen. I të njëjtit mendim me ta nuk është kurrsesi vetë Panucci që pas humbjes deklaroi: “Marr të gjitha përgjegjësitë, futbollistët nuk patën asnjë faj. Arsye për t’u larguar nuk kam, do të vazhdoj drejtimin pasi nuk më mungon besimi te kjo skuadër.”

Përkundër asaj që vendos Panucci, italiani me gjasa i ka ditët e fundit në Kombëtare. Pritet që sot, ose deri të martën kur do të luhet edhe ndeshja me Uellsin trajneri të shkarkohet. Për momentin ajo që e frenon presidentin Duka është kontrata që ka me Panucci-n, i cili në rast shkarkimi përfiton dëmshpërblim 140 mijë euro. Si përfundim çështja Panucci ka të ngjarë të zgjasë derisa të gjendet gjuha e përbashkët mes palëve, me Dukën që si biznesmen që është nuk preferon të paguajë një shifër të tillë pa negociuar.