Papa Françesku do të shkojë në një vizitë pesë-ditore javën e ardhshme në Portugali, ku një skandal që shpërtheu në fillim të këtij viti mbi abuzimin seksual në Kishën Katolike është ende në qendër të vëmendjes. Një grup ekspertësh raportoi në shkurt se të paktën 4815 djem dhe vajza portugeze ishin abuzuar që nga viti 1950. Përpara këtyre gjetjeve befasuese, zyrtarë të lartë të kishës portugeze thanë se kishte pasur vetëm një numër të vogël rastesh të tilla.
Pasojat e skandali ende ndjehen në Portugali, ku Papa Françesku do të marrë pjesë në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë. Qindra mijëra njerëz nga e gjithë bota do të marrin pjesë në këtë ngjarje të organizuar nga Kisha Katolike.
Gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë televiziv, ekspertët raportuan në shkurt se të paktën 4815 djem dhe vajza ishin abuzuar që nga viti 1950, shumica të moshës 10 deri 14 vjeç.
Pas raportit, Kisha Katolike humbi edhe më shumë besueshmërinë me një reagim të ngathët dhe hezitues, duke nxitur viktimat të formonin grupin e parë të tyre në Portugali për të kërkuar kompensim.
Megjithëse skandali nuk përmendet në axhendën zyrtare të Papës, ai pritet të takohet me viktimat gjatë vizitës së tij pesë-ditore. Fakti që takimi nuk është as në programin zyrtar, është kritikuar nga viktimat e abuzimit.
“Dita Botërore e Rinisë në vitin 2023 përkon me publikimin e raportit të Komisionit të Pavarur, për të cilin e gjithë shoqëria portugeze po debaton. Kisha dëshiron edhe një herë ta mbulojë atë. Në Ditën Botërore të Rinisë, në vend që të paralajmërohet rinia për mundësinë që këto gjëra të ndodhin brenda Kishës Katolike, qendrat e saj të arsimit dhe në shtretërit e priftërinjve, ata nuk e kanë përfshirë në programin zyrtar”, thotë Antonio Grosso, një nga bashkë-themeluesit e organizatës "Zemra e Heshtur".
Papa Françesku do të vizitojë edhe katedralen në Fatima, një qytet rural portugez që është një nga qendrat më të njohura të pelegrinazhit të Kishës Katolike.
Antonio Grosso thotë se ishte abuzuar seksualisht në një nga qendrat e arsimit fetar për djem në Fatima në vitet 1960. Ai thekson se viktimat ishin aq "të indinjuar dhe të trishtuar " nga përgjigja e kishës sa krijuan një grup lobimi, të quajtur Shoqata e Zemrës së Heshtur, për të ndihmuar viktimat të merrnin dëmshpërblime. Grupi do të ofrojë gjithashtu mbështetje psikologjike dhe ndihmë juridike për viktimat.
Portugalia është ndër vendet e fundit që po përballet me çështjen e abuzimit të dekadave të kaluara nga priftërinjtë dhe mosraportimin e tyre nga udhëheqësit e Kishës Katolike.
Peshkopi Americo Aguiar, i cili është edhe organizator i aktivitetit të Ditës Botërore të Rinisë, thotë se viktimat janë në "zemrën e tij" dhe të shumë të tjerëve. Ai shton se ngjarja në vetvete ka ndihmuar për të çuar përpara bisedën dhe për të gjetur një zgjidhje, duke mos u pajtuar me atë që thonë disa viktima.
"Është shumë e rëndësishme që ne të jemi të vetëdijshëm se sot gjërat janë shumë më ndryshe se disa kohë më parë. Sot, në zemrën time dhe të shumë njerëzve, nuk mund të them për të gjithë, por për shumë njerëz dhe për shoqërinë portugeze në përgjithësi, viktimat kanë një vend shumë të veçantë, ato kanë një përparësi, vëmendje dhe kujdes më të madh dhe kjo është thelbësore. Nuk mund të harrojmë se dhimbja nuk mbaron kurrë. Pavarësisht se çfarë thotë ligji për ata që i kanë përjetuar ato situata, dhimbja nuk skadon", tha ai gjatë një interviste pak ditë para fillimit të Ditës Botërore të Rinisë.
Kisha në Portugali ka kërkuar falje për abuzimin. Ajo po punon me shoqatën kryesore të mbështetjes së viktimave të Portugalisë dhe po zbaton procedura dhe po u përgjigjet e saj raportimeve për abuzim në kishë. Personeli i Ditës Botërore të Rinisë po merr trajnime specifike për identifikimin dhe parandalimin e abuzimit.
Portugalia është më mbrapa në trajtimin e çështjes së abuzimit në kishë krahasuar me Shtetet e Bashkuara, Australinë, Francën dhe Gjermaninë, por është në të njëjtin nivel me përpjekjet që po bëhen në Spanjë, Poloni dhe shumica e vendeve në Amerikën e Jugut, Amerikën Qendrore dhe Afrikë./VOA