ROME - "Nuk kemi shumë kohë, duhet vepruar menjëherë mbi çështjen e papunësisë." Kështu është shprehur kryeministri italian Enrico Letta, në samitin e Romës me Ministrat e Punës dhe të Financave të Francës, Gjermanisë, Spanjës dhe Italisë. Letta ka theksuar rëndësinë e këtij samiti si një nismë për të marrë masat për të trajtuar rritjen e papunësisë në kontinent. “Nga ky samit duhet dalë me fakte konkrete dhe jo me fjalë",- tha kryeministri Italian.

Kreu i qeverisë italiane ka propozuar që Banka Evropiane e Investimeve duhet të zgjeroi shtrirjen e aktiviteteve të saj në mbështetje të papunësisë dhe kryesisht tek të rinjtë.

Ndërsa Ministri gjerman i Financave, Volfgang Shauble tha se jemi të gjithë dakort që ne nuk duhet të ndryshojmë rregullat e Rritjes Europiane dhe Paktin e Stabilitetit dhe do të përqëndrohemi në rritjen mes kushteve të shtrënguara ekonomike.

Liderët e Bashkimit Evropian kanë premtuar se do të marrin masa për të luftuar papunësinë në rritje, sidomos në mesin e të rinjve. Gjithashtu në këtë samit, zyrtarët e lartë evropianë kanë paraqitur prioritetet e takimit të ardhshëm të Këshillit Evropian, që do të mbahet në Bruksel më 27 dhe 28 qershor. Shifrat e fundit zyrtare tregojnë se papunësia në disa vende jugore të BE-së ka arritur shifrën e lartë prej 27 për qind.

Redaksia Online
(lc/by/shqiptarja.com)