Vendimet e gjykatave për masat e sigurisë duhet të jenë të arsyetuara, individuale dhe të plota, për të argumentuar se pse duhet ‘arrest me burg’ në vend të një mase alternative; duhet të jetë gjykata ajo që të japë prova se pse duhet vazhduar një arrest me burg dhe jo e kundërta; si edhe rrezikshmëria e një personi të akuzuar që sjell automatikisht “arrestin me burg” nuk mund të caktohet vetëm nga vepra penale. Këto janë ndryshimet kryesore që synon të bëjë Gjykata e Lartë e cila, përmes një vendimi të kreu të saj, Sokol Sadushi, ka nisur rishikimin e praktikës së deritanishme.
Kjo lëvizje e Gjykatës së Lartë vjen pasi shqetësimit të ngritur vazhdimisht për situatën e paraburgimeve në Shqipëri, ku nga qeveria ka nisur procesi që të çojë të ndryshime ligjore, në një kohë kur adresimi i këtij problemi madhor është kërkuar edhe nga institucionet ndërkombëtare.
Me një vendim të kryetarit Sokol Sadushi, Kolegjet e Bashkuara janë thirrur për të riparë vendimin unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e saj. Vendimi i ndërmjetëm kërkon interpretim të ri të neneve 228 dhe 230 të Kodit të Procedurës Penale në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), duke analizuar konkretisht tre pyetje që kanë të bëjnë me përcaktimin e rrezikshmërisë, kur duhet të merren parasysh masat alternative dhe si duhet të vlerësohet rreziku i prishjes së provave.
Arsyetimi i vendimit
Vendimi i vitit 2011 thotë se “kur kërkohet ose vendoset masa e sigurimit “arrest në burg”, gjykata nuk ka detyrim që të analizojë përse llojet e tjera të masave të sigurimit nuk janë të përshtatshme, mjafton që të argumentojë se masa e caktuar prej saj në rastin konkret ndaj të gjykuarit është masa e përshtatshme”
Kjo sipas Sadushit duhet të ndryshojë për disa arsye. E para se në legjislacionin shqiptar ka ndryshuar konceptimi i neneve 228-230 të Kodit të Procedurës Penale. Ndryshimet e bëjnë më të qartë standardin e arsyetimit që duhet të ndjekë gjykata në kufizimin e lirisë personale.
Neni 228/3/a i Kodit të Procedurës Penale kërkon që në vendim të përfshihet jo vetëm parashtrimi i shkaqeve dhe të dhënave që justifikojnë masën e sigurimit por edhe arsyetimi se pse gjykata nuk pranon pretendimet e mbrojtjes se pse masat e reja më të lehta të sigurimit konsiderohen të papërshtatshme” , duke qenë se ligji e thotë qartë se “arresti me burg vendoset vetëm kur çdo masë tjetër është e papërshtatshme”.
Në çështjen “Gëllçi kundër Shqipërisë”, Gjykata kritikon arsyetimet e përgjithshme për rrezikun e manipulimit të provave/kërcënimit të dëshmitarëve dhe thekson se “Nuk mund të pranohet parashtrimi në mungesë të provave faktike konkrete mbështetëse ose të ndonjë indicieje për tentativën aktuale për t’u përfshirë në manipulimin e provave.”
Në çështjen Hysa, Gjykata thekson se “argumentet e gjykatave vendase në favor të dhe kundër lirimit nuk duhet të jenë të përgjithshme dhe abstrakte, por të përmbajnë referenca për fakte specifike dhe rrethana personale që justifikojnë paraburgimin e kërkuesit”.
Rrezikshmëria e autorit
Pyetja e dytë që duhet t’i jepet përgjigje sipas Sadushit është qëndrimi i sanksionuar në vendimin e vitit 2011 se rrezikshmëria e autorit mund të përcaktohet nga vetë vepra penale, apo edhe vetë “rreziku i largimit” mund të lidhet me faktin se sa e rëndë është vepra penale, nga rëndësia e faktit, e sanksionit për veprën penale dhe lloji e shkalla e pasojave të ardhura prej saj.
Edhe për këtë Sadushi sjell në vëmendje vendime të Gjykates Evropiane të të Drejtave të Njeriut. GJEDNJ e thotë qartë se paraburgimi nuk justifikohet me formula stereotipe, por vetëm me arsye “relevante” dhe “të mjaftueshme”, të mbështetura në rrethana konkrete, të individualizuara dhe të kontrollueshme, përbëjnë arsye që praktika të ndryshojë sipas kreut të Gjykatës së Lartë.
Në çështjen Muçaj kundër Shqipërisë, GJEDNJ vuri në dukje se “gjykatat vendase vijuan t’i referoheshin rrezikut për t’iu fshehur drejtësisë si arsye kryesore për paraburgimin e zgjatur të kërkuesit, pa treguar se si ky rrezik gjente zbatim konkretisht në rastin e tij. Gjykata theksoi gjithashtu se serioziteti i veprës ose pasojat e saj nuk përbëjnë arsye të pavarura që justifikojnë ndalimin me burgim.”
"Barra e provës" pse burgu nuk duhet
Pika e tretë dhe e fundit lidhje me vazhdimin e arrestit me burg. Sipas vendimit unifikues të tetorit 2011 nga Gjykata e Lartë thuhet se për të përcaktuar të papërshtatshëm arrestin me burg duhet të ishte i akuzuari që jep argumenti pse. Pra duhet të jetë i akuzuari që të thotë se pse nuk duhet të rrijë në burg. Pra barra e provës i vendoset të akuzuarit dhe jo gjykatës apo prokurorisë. Kjo është në kundërshtim me praktikën perëndimore, prandaj sipas kreut të Gjykatës së Lartë kjo kërkon ndryshim.
GJEDNJ e thotë prerë në vendimin “Hysa kundër Shqipërisë” se “Justifikimi për çfarëdo periudhe burgimi duhet të demonstrohet në mënyrë bindesë nga autoritetet”
“Pra jurisprudenca e GJEDNJ-së në çështjet Hysa, Gëllçi dhe Muçaj imponon këto teza themelore: (i) dyshimi i arsyeshëm nuk mjafton, i vetëm, për vijimin e paraburgimit; (ii) rreziku duhet të jetë konkret, i individualizuar dhe i provueshëm; (iii) rëndësia abstrakte e veprës nuk justifikon, më vete, burgimin; (iv) masat alternative duhet të shqyrtohen realisht dhe jo formalisht; (v) barra e justifikimit mbetet mbi autoritetet për çdo periudhë kufizimi të lirisë; dhe (vi) justifikimi i paraburgimit duhet të ruajë aktualitet, proporcionalitet dhe kontrollueshmëri në kohë”, thotë kreu i Gjykatës së Lartë në vendimin e tij.
Drejtues të opozitës nuk vonuan të kritikonin nismën, me Gazmend Bardhin, kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, që akuzoi Sadushin se po i shërben Ramës dhe i bëri thirrje të mos përdorej politikisht.
Kujtojmë se pak më shumë se një muaj më parë, ekspertë të Këshillit të Evropës depozituan një dokument me 60 faqe ku propozonin ndryshime ligjore që vendosnin kritere dhe kushte të qarta se kur duhet marrë një masë sigurie arrest me burg, ndryshime ligjore që përcaktojnë një numër veprash penale për të cilat nuk mund të vendoset paraburgimi, detyrimin e gjykatave që të shikojnë masat alternative si prioritare etj.
Në fund të vitit 2025, ishin 4503 prapa hekurave në Shqipëri, nga të cilët 2569 (ose 57%) ishin të paraburgosur. Pra me masë sigurie, pa një vendim të formës së prerë. Këto shifra e renditin Shqipërinë në krye të vendeve evropian për numrin e të paraburgosurve, duke ngritur alarmin në vend.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente












Duhete hetyar
PërgjigjuTashme Edi do qe te na heq edhe paraburgimin ne shqiptareve.Po ne per inat te Edit do te shkojme vet ne paraburgim sepse ai,paraburgimi eshte si nxemja perpara futbollit. Pse u kujtua tani ai...!Tani nuk duam ne...Kemi nje koke ne...!
PërgjigjuME MIRE VONE SE KURRE!
PërgjigjuPo ku ishit deri më sot o trima?Jeni si kofini pas të vjelurave.
PërgjigjuPo ishin ne Dubai po merrnin avdes